Gazetari Osman Stafa ka komentuar protestën e zhvilluar sot para Parlamentit, duke ngritur shqetësime për mënyrën e reagimit të Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që ishin mbledhur në tubim.
I ftuar në Euronews Albania, Stafa tha se reagimi i forcave të rendit ishte joproporcional në raport me mjetet që kishin protestuesit, të cilët sipas tij kishin kryesisht vezë dhe domate.
Sipas gazetarit, masat e marra nga Policia ishin shumë më të mëdha krahasuar me protestat e mëparshme, ndërsa theksoi se në terren ishin angazhuar efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të Shqiponjave, të pajisur me mjete mbrojtëse.
“Protestuesit lajmëruan një protestë ditën e sotme në orën 08:30. Ndryshe nga protesta e kaluar, pati një masivitet të jashtëzakonshëm të Policisë së Shtetit përballë protestuesve të armatosur me vezë dhe domate”, tha Stafa.
Ai u shpreh se në disa raste krijohet përshtypja se policia vendoset në një situatë përballjeje të panevojshme me qytetarët.
“Disa herë më duket sikur vetë pushteti kërkon që Policinë e Shtetit ta çojë mish për top tek protestuesit”, deklaroi gazetari.
Sipas tij, në një shoqëri demokratike pushteti ka në dispozicion mjetet e ndërhyrjes, ndërsa qytetarët në protestë shprehin pakënaqësitë e tyre përmes formave të reagimit qytetar.
“Policia ka gazin, ka ujin, ka shkopin e gomës, ka çdo gjë që i përket. Nga ana tjetër ke protestues që kanë vezë dhe domate. Por në momentin që ti përdor gaz apo ujë me kimikate, ai do të reagojë, sepse është një reagim njerëzor”, tha Stafa.
Ai shtoi se qytetarët që dalin në protesta mund të kenë shqetësime të ndryshme, nga shëndetësia dhe arsimi te korrupsioni, dhe se reagimi i institucioneve duhet të jetë i matur.
“Policia nuk mund të reagojë sikur janë dy ekipe përballë njëra-tjetrës, ku njëri thotë një fjalë dhe tjetri kundërpërgjigjet. Roli i saj është të menaxhojë situatën dhe të garantojë rendin”, përfundoi gazetari.














