Raporti i kredive me probleme për institucionet financiare jobanka shënoi rritje vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2025 ky raport u rrit në 14.2%, nga afërsisht 12% që kishte qenë një vit më parë.
Raporti i kredive me probleme është pothuajse katër herë më i lartë krahasuar me nivelin mesatar të kredive me probleme të sektorit bankar, që në fund të vitit 2025 ishte 3.8%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, përkeqësimi i këtij treguesi është ndikuar paralelisht nga reduktimi i portofolit të kredisë, me 9.3%, por edhe nga rritja e vlerëa së kredive me probleme, me 7.4%.
Në fund të vitit 2025, portofoli i kredisë bruto për institucionet financiare jobanka ra në 53.2 miliardë lekë, 9% më pak krahasuar me vitin paraardhës.
Megjithatë, rënia është e lidhur kryesisht me zhvillime strukturore brenda sektorit. Institucioni financiar NOA vitin e kaluar u bashkua me Bankën Amerikane të Investimeve dhe kjo bëri që portofoli i kredisë së këtij institucioni të riklasifikohjet si kredi që i përket sektorit bankar.
Pjesa më e madhe e portofolit të kredisë së insitutcioneve financiare jobanka mbahet nga subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë, me 73%. Më pas, renditet portofoli i qirasë financiare, me 26%, ndërkohë që pesha e portofolit faktoring mbetet mjaft e ulët, në 1%.
Aktiviteti me rritjen më të lartë gjatë vitit 2025 ka qenë qiraja financiare, me 1.52 miliardë lekë.
Efektin kryesor në rritjen e këtij portofoli e kanë dhënë subjektet “Porsche Leasing” dhe “Raiffeisen Leasing”. Pas largimit të subjektit “NOA”, aktiviteti i kredidhënies dominohet nga “Fondi Besa”. Ndërkohë, sa i përket aktivitetit të mikrokredisë, subjekti “Iutecredit” vijon të hfaqë rritjen më të lartë të portofolit të mikrokredisë.
Gjatë vitit 2025, institucionet financiare që ushtrojnë veprimtarinë e kreditimit kanë gjeneruar një fitim neto prej 3.1 miliardë lekësh.
Krahasuar me vitin paraardhës vërehet një rënie e ndjeshme prej 2.41 miliardë lekësh ose rreth 2.44%. Afërsisht gjysma e reduktimit të fitimit lidhet me sasinë e dividendit që merr subjekti “Tranzit” (aksionar i Bankës Amerikane të Investimeve), i cili këtë vit ka qenë më i ulët se vitet e kaluara.
Edhe largimi i subjektit “NOA” nga grupi i këtyre institucioneve ka sjellë ndikim negativ që llogaritet në rreth 20% të rënies së rezultatit neto.
Në një masë më të vogël ka ndikuar edhe reduktimi i fitimeve të realizuara nga subjektet e mikrokredisë “ECFA” (Kredo Finance) dhe “IuteCredit”.
Kthimi mesatar nga aktivet për institucionet financiare që ushtrojnë veprimtaritë e kreditimit arriti në 4.7% (kundrejt 7.3% në vitin 2024), ndërsa kthimi mesatar nga kapitali zbriti në 21.4% (kundrejt 39% në vitin 2024).
Nga ana tjetër, rritja e stokut të kredive të këqija mund të jetë sinjal i rreziqeve në rritje për sektorin, në vijim të një cikli disavjeccar rritjeje të shpejtë të huadhënies, sidomos në segmentin e mikrofinancës.
Vitin e kaluar, hyri në fuqi paketa rregullatore e Bankës së Shqipërisë që vendosi disa masa shtrënguese në praktikat e huadhënies së kredisë konsumatore për institucionet financiare jobanka.
Këto masa synonin të mbronin huamarrësit nga mbingarkesa me borxh, por edhe të ulnin rreziqet nga përkeqësimi i cilësisë aktiveve për institucionet financiare. /Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë














