Leku, po thonë, i ka ditët e numëruara. Euro do të bëhet monedha zyrtare e vendit sapo Shqipëria të hyjë në Bashkimin Evropian – kaq e thjeshtë, sikur të ndërroje stacionin e televizorit. Titujt janë triumfalë: “lamtumirë lek”, euro “menjëherë pas hyrjes në BE”. E vetmja gjë që i mungon këtij euro-entuziazmi është euro-realiteti.
Një projektligj i hedhur për konsultim publik nuk e bën euron monedhë kombetare. Dhe “menjëherë” është pikërisht fjala që e tradhton sensacionin: ajo e kthen një proçes të gjatë, teknik dhe të kushtëzuar – që zgjat vite, e ndoshta dekada – në një fakt thuajse të kryer. Ta themi troç: anëtarësimi në BE dhe anëtarësimi në Eurozonë janë dy gjëra të ndryshme.
E para nuk e sjell automatikisht dhe detyrimisht të dytën. Sot euro përdoret nga 21 prej 27 vendeve të BE-së. Gjashtë të tjera janë prej vitesh, disa prej dekadash, anëtare të BE-së dhe ende mbajnë monedhën e vet.
Nëse anëtarësimi në BE do të mjaftonte për të hyrë në Eurozonë, kjo diferencë nuk do të ekzistonte.
Këtë e pranoi edhe vetë Banka e Shqipërisë, autorja e projektligjit: në një sqarim dukshëm më të kujdesshëm se titujt ne disa media, BSH theksoi se ky kapitull “nuk duhet konsideruar si një hap konkret drejt adoptimit të euros” dhe se për adoptimin nuk ka ende një afat të përcaktuar.
Dhoma e pritjes që s’përmendet
Para se një vend të adoptojë euron, duhet të plotësojë një varg kushtesh teknike, të njohura si kriteret e konvergjencës. Me fjalë të thjeshta: inflacion të ulët e të qëndrueshëm, financa publike në parametra të rregullta dhe, më e vështira, të paktën dy vjet me një kurs këmbimi të qëndrueshëm – një lloj “dhome pritjeje” ku monedha kombëtare provohet përballë euros. Vetëm pasi Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane të vërtetojnë se këto kushte janë përmbushur (jo të premtuara, të përmbushura!) vjen ftesa për të hyrë në Eurozonë. Kjo do të thotë të paktën vite. Dhe “vite” këtu nuk është figurë letrare për të impresionuar lexuesin.
Bullgaria hyri, Rumania jo
Bullgaria dhe Rumania hynë në Bashkimin Evropian të njëjtën ditë – në 1 janar 2007. Që nga ajo ditë, rrugët e tyre u ndanë. Bullgaria, pas disa shtyrjesh, hyri në Eurozone në 1 janar 2026 duke u bërë vendi i 21-të i Eurozonës – plot 19 vjet pas anëtarësimit.
Rumania, po 19 vjet më vonë, ende nuk është gati për t’iu bashkuar Eurozonës. Objektivi i saj për hyrjen në Eurozonë është shtyrë disa herë e tani pritet të hyjë rreth 2030. As në “dhomën e pritjes” nuk ka hyrë ende. Në shkurt 2026, vetë presidenti i Rumanisë pranoi se vendit mund t’i duhen edhe “tre-katër vjet” të tjera vetëm për të plotësuar kriteret.
Dhe që të mos mendojë kush se kjo është histori e tejkaluar: më 24 qershor 2026, në raportin e tij të rregullt, Komisioni Evropian deklaroi se asnjë nga pesë vendet ende jashtë Eurozonës nuk i plotëson kriteret për ta adoptuar euron në këtë fazë.
Për Rumaninë, raporti thoshte se ajo mbetet “larg niveleve të kërkuara të inflacionit të ulët, deficitit buxhetor, normave të interesit, qëndrueshmërisë së monedhës dhe përputhshmërisë ligjore”. Pra jo një kriter – të gjitha bashkë. Nëse Shqipëria, që ende nuk është as anëtare e BEsë, pret ta përshkojë këtë rrugë “menjëherë”, të pyesi Bukureshtin se sa kollaj është ky proçes.
Adoptimi i euros s’është pa rreziqe
Adoptimi i euros sigurisht ka përfitime reale. Ekonomia integrohet në një treg shumë më të madh ku kompanitë veprojnë lirshëm përtej kufijve dhe, sa më e gjerë hapësira ku operojnë, aq më produktive bëhen – dhe kjo, me kohë, sjell më shumë vende pune e paga më të mira. Por, si zakonisht në financë, asnjë prej këtyre përfitimeve nuk vjen pa rreziqe.
Le të supozojmë se rruga u përshkua dhe euro erdhi. A do të thotë kjo se problemet e ekonomisë u zgjidhën? Përvoja e Greqisë thotë jo. Euro nuk është shkop magjik dhe Greqia e mësoi këtë me kosto të rëndë: kur kriza e goditi pas vitit 2009, ajo nuk mund të dilte prej saj duke zhvlerësuar monedhën e vet – sepse monedhën e vet e kishte hequr mbi një dekadë më parë. Të njëjtën gjë do të jepte edhe Shqipëria: mundësinë për të zbutur një goditje përmes kursit të këmbimit, bashkë me rolin e Bankës së Shqipërisë si kreditor i skalionit të fundit.
Kjo humbje është e neglizhueshme për një ekonomi të lidhur ngushtë me motorrin ekonomik gjerman; është më e rrezikshme për një ekonomi të vogël që lëviz ndryshe nga bërthama e Eurozonës. Nuk është rastësi që tri vendet që u lejuan të hynin pa i përmbushur si duhet kushtet u bënë “të sëmurat e përhershme” të Eurozonës.
Euroja është tashmë në Shqipëri
Ka diçka thellësisht ironike në gjithë këtë euro-entuziazëm. Ndërsa titujt shpallin euron monedhë zyrtare si diçka thuajse e kryer, euro joformale prej kohësh ka pushtuar ekonominë e vendit. Në fund të vitit 2025, mbi gjysma e depozitave dhe rreth 44% e kredive në vend ishin në monedhë të huaj, kryesisht në euro. Me fjalë të tjera, Shqipëria nuk ka pavarësi të mirëfilltë monetare – jo me ligj, por në praktikë. Betejat për de-euroizimin dhe kundër informalitetit, që Banka e Shqipërisë i ka humbur prej vitesh, janë problemi i vërtetë sot. Po ashtu edhe mbiçmimi i pandalshëm i lekut ndaj euros, që javët e fundit e zbriti euron në minimume historike dhe që po i dëmton rëndë eksportuesit shqiptarë.
Këto nuk ka si zgjidhen me një projektligj që e shpall euron monedhë zyrtare “pas hyrjes në BE”. Përkundrazi: pikërisht mënyra si i trajton një vend këto probleme sot është ajo që përcakton nëse do t’i plotësojë një ditë kushtet për të hyrë në Eurozonë. Rruga për te euro nis nga inflacioni i ulët dhe një monedhë e qëndrueshme – jo nga një njoftim.
Euro është një destinacion që sigurisht ia vlen të synohet. Por një destinacion nuk arrihet duke shpallur dekret. Arrin duke bërë detyrat e shtëpisë – dhe ato detyra po presin prej kohësh, jo pas hyrjes në BE. /Evarist Stoja, Monitor














