Është mbyllur seanca e ditës së sotme (23 korrik) në Parlament mes tensionesh, debatesh dhe akuzash, ku opozita bllokoi për disa orë foltoren e Kuvendit.
Me këtë arsyetim mazhoranca ka kaluar në një votim të përshpejtuar me procedurë dhe pa diskutime të të 31 pikave të rendit të ditës, mes tyre edhe rezolutat për raportimet e institucioneve të pavarura si SPAK Prokuroria e Përgjithshme, Avokati i Popullit, KLP, KLGJ dhe të tjera, disa projektligje dhe amendamente dhe emërime të anëtarëve të komisioneve të prokurimit.
Gjatë procesit të votimit seanca u ndërpre dy herë, teksa me 84 vota u kalua edhe raporti për Reformën Territoriale, teksa PD kërkoi shtyrjen e afatit me 3 muaj.
Me mbi 80 kartonë PS i kaloi të gjitha pikat e rendit të ditës nën drejtimin e Peleshit.
Por seanca pati edhe tensione të forta, fillimisht me Gazment Bardhin që tentoi të lagte me ujë kryeministrin Edi Rama, i cili u mbrojt nga forcat e Gardës, si dhe më pas kur votimi po shkonte drejt fundit.
Rama u ngrit të ikte, por deputetët e PD-së hodhën drejt tij dosje, fleta e kartonët e votimit. Kartonë u lëshuan edhe ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj.
Pas këtij momenti edhe PD e la sallën, duke braktisur seancën dhe pjesën e votimit të mbetur.
Për sa qëndruan në sallë ata nuk e lëshuan foltoren, teksa shoqëruan procesin me goditje tavolinash.














