Protesta e 51-të kundër qeverisë u mbyll mbrëmjen e kësaj të diele me një marshim në rrugët e Tiranës, pasi qytetarët përfunduan fjalimet e mbajtura në podiumin e ngritur përpara Kryeministrisë.
Nën thirrjet “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Rama, jep dorëheqjen”, protestuesit ecën në bulevard, duke vijuar atë që e cilësojnë si një qëndresë qytetare kundër qeverisë.
Në tubimin e sotëm morën pjesë qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, mes tyre të rinj, studentë, pensionistë, aktivistë, profesionistë, emigrantë dhe turistë. Gjatë fjalimeve, pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar qeverinë për korrupsion, keqqeverisje dhe shpopullimin e vendit.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit përsëritën thirrjet për ndryshim politik, ndërsa organizatorët paralajmëruan se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim, me tubimin e radhës të parashikuar më 23 korrik para Kuvendit.














