Ndryshimi i rendit të ditës në Kuvend, me kërkesë të Partisë Socialiste, ka sjellë përplasje mes kryedemokratit Sali Berisha dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Gjatë fjalës së tij në sallën e Parlamentit, Berisha akuzoi Peleshin për mënyrën e drejtimit të seancës, duke deklaruar se ai do të mbahet mend në histori si “vasali më i shpifur i Edi Ramës”.
“Do të mbetesh në historinë e vendit si vasali më i shpifur i Edi Ramës, si armik i Kushtetutës dhe i të drejtave kushtetuese të deputetëve”, tha Berisha.
Ai përmendi edhe protestat që po zhvillohen prej 51 ditësh në vend, duke deklaruar se qytetarët kërkojnë ndryshime dhe anulimin e ligjeve që, sipas tij, bien ndesh me interesin publik.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Niko Peleshi i kërkoi Berishës të respektojë etikën parlamentare dhe rregulloren e Kuvendit. Ai paralajmëroi se do të ndërhyjë sa herë që deputetët përdorin gjuhë që, sipas tij, tejkalon kufijtë e debatit parlamentar.
“Mu drejto me etikë, nuk të drejtohem me ‘ti’. Do t’ju ndërpres sa herë që shkelni rregulloren, madje do të marr edhe masa për të gjithë ata që përdorin një fjalor që nuk na takon”, deklaroi Peleshi.














