Tensionet në Kuvend u rikthyen dhe minutat e pushimit nuk i shërbyen aspak uljes së “gjakrave” mes deputetëve në sallë.
Opozita u shpreh e vendosur të mos e lejonte Avokatin e Popullit të raportonte, që më pas të kalonin te diskutimet, duke deklaruar se ai ishte zgjedhur në mënyrë ilegjitime.
Kreu i grupit të PD Gazment Bardhi dhe sekretari Flamur Noka i kërkuan kryeparlamentarit Niko Peleshi që të ndryshonte rendin e ditës dhe të kalonte direkt në diskutime, pa e dëgjuar Endri Shabanin.
“Të kalojmë në diskutime. Ai është zgjedhur në mënyrë të paligjshme, është ilegjitim”, u shprehën ata.
Por Peleshi i kundërshtoi: “Nuk jemi këtë për përleshje, jemi për të përplasur mendimet dhe jo kokat. Diskutimet janë për raportin, nuk mund të diskutojmë në ajër. Nuk e vendosim ne kush njihet dhe kush nuk njihet, Avokati i Popullit është votuar nga ky Kuvend, ndryshe jemi në shkelje të Kushtetutës. Nuk jemi këtu për vetëgjyqësi dhe për të shpallur kush është legjitim dhe kush jo. Ta dëgjojmë njëherë e pastaj debatojmë. Nuk ka shans t’i impononi Kuvendit rendin e ditës, ta ndryshoni atë me forcë e të bërtitura, sa të jem unë këtu! Uluni”.
Por kjo i rriti edhe më shumë debatet dhe akuzat, aq sa Bardhi iu drejtua Peleshit për shkeljen e procedurave dhe mosdëgjim të opozitës.
Peleshi reagoi duke i kërkuar opozitës që të ulej, teksa tensionet e vazhdueshme e çuan seancën në ndërprerjen e dytë në pak minuta.
“Zoti Bardhi mos trash zërin me mua, ju lutem, unë nuk jam edukatore. 5 minuta pushim për qetësim dhe ajrim”, tha Peleshi, duke mbyllur seancën përkohësisht.














