Policia e Shkodrës ka arrestuar 18-vjeçarin e dyshuar si autor të plagosjes me thikë të një 32-vjeçari, si edhe babanë e tij, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në ngjarje.
Sipas njoftimit zyrtar, u vunë në pranga shtetasit A. F., 18 vjeç, dhe A. M., 53 vjeç, babai i tij, të dy banues në Shkodër.
Nga hetimet paraprake dyshohet se babë e bir, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin V. K., 32 vjeç, në ambientet e Poliklinikës, në lagjen “Vasil Shanto”, mesditën e kësaj të enjteje.
18-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë publike”, ndërsa 53-vjeçari akuzohet për “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.
I plagosuri ndodhet në kujdesin e mjekëve, ndërsa policia vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive lidhur me ngjarjen.














