Një 18-vjeçar në Shkodër ka plagosur me thikë një 32-vjeçar pas një konflikti mes tyre.
Arvin Fregjaj e ka sulmuar Vildan Kepëcën në poliklinikën e qytetit dhe më pas është larguar.
Fatmirësisht, i lënduari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën me dije se gjatë rrugës për në vendngjarje, kishin marrë informacion se vëllai i të plagosurit, Arben Kepëca, sapo kishte mësuar ngjarjen, kishte marrë armën për të shkuar dhe vrarë Fregjajn.
Policia ka ndërhyrë dhe e ka arrestuar 41-vjeçarin që tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit që mbante me vete.
Autoritetet kanë nisur punën për gjetjen e autorit dhe zbardhjen e ngjarjes.
Reagimi i policisë:
Shkodër / Parandalohet përshkallëzimi i një konflikti me pasoja të rënda.
Pasi mori dijeni për plagosjen me thikë të vëllait të tij, 41-vjeçari mori një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe u nis për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë, 41-vjeçari tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit, por u kap dhe u vu në pranga.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë, me municion luftarak.
Rreth orës 11:30, në ambientet e brendshme të poliklinikës, në lagjen “Vasil Shanto”, dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. F., 18 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin V. K., 32 vjeç, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes. Gjatë rrugës, ato kanë marrë informacion se vëllai i të plagosurit, shtetasi A. K., 41 vjeç, pasi kishte marrë dijeni për ngjarjen, kishte marrë një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe ishte nisur në këmbë për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes së vëllait të tij.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke marrë masat e nevojshme të sigurisë, dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., 41 vjeç, i cili gjatë ndërhyrjes tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit që mbante me vete.
Shërbimet e Policisë vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit A. F.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.














