Gjykata e Shkodrës ka dhënë sot masën e sigurisë ndaj Shtjefën Ziçit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Bardhe Ziçi, në një konflikt të dyshuar familjar më 9 korrik.
Ziçi nuk ka folur asnjë fjalë para trupit gjykues, ndërsa avokati i tij Agim Martini ka kërkuar ekspertimin psikik të klientit të tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 9 korrikut, në unazën lindore të Shkodrës.
Pas debatit në dyqanin ushqimor që administronin pranë banesës, 64-vjeçari mori armën e gjahut dhe qëlloi ndaj bashkëshortes në pragun e shtëpisë.
Sipas hetimeve, 55-vjeçarja tentoi të largohej për t’i shpëtuar sulmit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Grupi hetimor ka dyshime se 64-vjeçari e vrau bashkëshorten për motive xhelozie.
Sipas hetimeve, ai i ka kërkuar bashkëshortes telefonin celular, çka ka sjellë një debat mes tyre.
Pak çaste më vonë, është futur në banesë, ka marrë çiften që e posedonte me leje dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të gruas, duke i shkaktuar vdekjen.














