Avokatja Adriana Kalaja, ka depozituar një kallëzim të ri në SPAK në lidhje me çështjen Bankers, duke pretenduar se në këtë dosje është e implikuar edhe ish numri dy i qeverisë Rama, Belinda Balluku.
Në një reagim për mediat, Kalaja shkruan se në dosjen e “Bankers”, Balluku ka pasur rol në ndërhyrjet që, sipas saj, penguan arkëtimin e 123 milionë eurove në favor të shtetit shqiptar, duke i shkaktuar buxhetit një dëm të konsiderueshëm.
Kalaja pretendon se, sipas informacioneve që ka referuar në SPAK, veprimet e Ballukut lidhen edhe me shitjen e rafinerisë së Ballshit, ndërsa shton se 21 milionë euro nga ky transaksion mungojnë ende në buxhetin e shtetit. Sipas saj, të gjitha këto transaksione lidhen me veprimtari të paligjshme, akuza që mbeten objekt i hetimeve.
Në kallëzimin penal, Kalaja thotë se ka përfshirë edhe ish-ministren e Financave Anila Denaj, të cilën e akuzon për shpërdorim detyre dhe vepra të tjera penale, si ushtrimi i ndikimit të paligjshëm, korrupsioni pasiv, veprime arbitrare, pastrim të produkteve të veprës penale dhe përfitim të interesave të paligjshme. Ajo ka ngritur gjithashtu pretendime edhe ndaj ministrit aktual të Financave, Petrit Malaj, duke kërkuar të hetohet nëse vonesat në veprimet e tij kanë sjellë dëm të mëtejshëm për shtetin.
Kalaja deklaron se oficeri i policisë gjyqësore i ka konfirmuar se kallëzimi i saj është bashkuar me dosjen ekzistuese të SPAK për çështjen “Bankers”, ndërsa kërkoi që hetimet të zhvillohen mbi bazën e provave, ligjit dhe Kushtetutës, pa ndikime politike.
Deklarata e plotë e Adriana Kalasë para SPAK:
Ish-ministren e Financave Anila Denaj dhe ministrin aktual të Financave, Petrit Malaj, jo vetëm që i akuzoj për shpërdorim detyre, por edhe për kryerjen e veprave të ndryshme penale, si ushtrimi i ndikimit të paligjshëm, korrupsioni pasiv, veprime arbitrare, pastrimi i produkteve të veprave penale, përfitimi i interesave të paligjshëm e të tjera. Të gjitha këto, në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal, veprime të cilat lidhen me çështjen Bankers.
Çështje e cila i ka kushtuar shtetit shqiptar një humbje prej 123 milionë eurosh, shumë e cila jo vetëm që nuk është arkëtuar ende, por edhe vonesa në arkëtimin e saj ka sjellë një dëm të konsiderueshëm në buxhetin e shtetit.
Ndërkohë, nga oficeri i policisë gjyqësore m’u konfirmua se kallëzimi im penal, lidhur me këtë çështje, është bashkuar me dosjen bazë të Bankers, për të cilën, në fakt, po kryhen veprimet përkatëse hetimore dhe për të cilat do të vihemi në dijeni në vijim.
Por, nga ana tjetër, unë, ashtu siç e relatova edhe përpara agjentit të BKH-së, theksoj se ka disa kontradikta shumë të forta që lidhen me këtë çështje. Për shembull, kemi një fakt që nuk mund ta shmangin. Në kohën kur Ministria e Financave drejtohej nga ministri Arben Ahmetaj, shkresa ishte urdhëruese dhe brenda kompetencave të ministrit të Financave, ku u kërkohej organeve përgjegjëse të mblidhnin ose të arkëtonin shumën prej 123 milionë eurosh.
Ndryshe nga kjo shkresë e zotit Ahmetaj, shkresat e të kallëzuarave penalisht Belinda Balluku dhe Anila Denaj dilnin jashtë kompetencave të tyre, por, nga ana tjetër, cenonin rëndë edhe kompetencat e Doganave dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Fillimisht u është thënë se duhej pezulluar kjo gjobë dhe, më pas, kanë filluar e kanë vijuar me ndërhyrje të herëpashershme, siç e thashë në fillim, duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm të konsiderueshëm, dëm i cili, në fakt, e ka zanafillën kryesore te shitja që i është bërë rafinerisë së Ballshit.
Shitje e cila, në fakt, në shumën prej 21 milionë eurosh, mungon edhe sot e kësaj dite në buxhetin e shtetit. Të gjitha këto transaksione, sipas informacioneve që kam përcjellë në SPAK, lidhen me veprimtarinë e paligjshme të dy ish-ministrave, pra Belinda Ballukut dhe Anila Denajt.
Ndërkohë, për ministrin aktual, problemi që kam ngritur në kallëzimin penal është nëse veprimet e ministrit, duke qenë se janë korrekte në raport me themelin e çështjes, janë kryer në kohën e duhur. Pra, a jemi përpara veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe, nëse po, a i ka shkaktuar vonesa e ministrit Malaj shtetit shqiptar një dëm të mëtejshëm pas çështjes së arbitrazhit, ku vetë Gjykata e Arbitrazhit, në pjesën dërrmuese të çështjes, i ka dhënë të drejtë veprimeve të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe AKBN-ja.
Unë jam besimplotë se kjo çështje, ashtu si edhe çështja e parë, do të hetohet me profesionalizëm. Unë kam vetëm një thirrje: që SPAK-u të hetojë mbi prova, mbi ligj, mbi Kushtetutë dhe jo mbi urdhra politikë.
Kështu që, për prokurorin Dritan Prençi, në interes publik, kam një thirrje: dosja duhej të ishte mbyllur në prill të vitit 2024 dhe, në këndvështrim të ligjit dhe të Kodit të Procedurës Penale, mendoj se ka kaluar afati për mbylljen e dosjes ndaj Belinda Ballukut. Prandaj shtroj pyetjen: a është ky rasti kur SPAK-u po e amniston, nëpërmjet procedurës, të pandehurën Belinda Balluku?
Koha do ta tregojë. Por unë besoj se unë dhe shumë të tjerë, si puna ime, që kemi marrë përsipër ta bëjmë këtë gjë, do t’i shkojmë deri në fund dhe do të referojmë çdo veprim në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, qoftë për veprime të ndërmarra nga prokurorë të SPAK-ut apo nga gjyqtarë të GJKKO-së.














