Lamine Yamal është gati për përballjen e madhe të mbrëmjes ndaj Francës dhe nuk e fsheh aspak besimin para gjysmëfinales.
Talenti spanjoll, në konferencën për shtyp para ndeshjes, u shfaq i qetë dhe me ambicie të mëdha, duke deklaruar se dhurata më e bukur për ditëlindjen e tij do të ishte një fitore dhe një biletë për finalen e cila do të luhet në New York.
“Për ditëlindjen time do t’i dhuroj vetes një fitore dhe një udhëtim në Nju Jork ”, u shpreh Yamal, i cili edhe pse vetëm 19 vjeç, vijon të tregojë një vetëbesim të madh në skenën ndërkombëtare.
Përballë Spanjës është Franca, një nga skuadrat më të forta të turneut, por sulmuesi i Barcelonës nuk shfaq asnjë frikë.
“Frikë nga Franca? Jo. Ne jemi kampionët e Europës dhe nuk kemi frikë nga askush”, tha Yamal, duke theksuar besimin e plotë të skuadrës spanjolle.
I pyetur për paraqitjen e tij personale dhe faktin që në këtë Botëror ka gjetur vetëm një herë rrjetën, Yamal nuk shfaqi shqetësim.
“Nuk jam i shqetësuar që kam shënuar vetëm një gol. E pranoj sfidën e gjysmëfinales, jam këtu për këtë”, deklaroi talenti spanjoll.
Yamal pritet të jetë një nga protagonistët kryesorë të përballjes Spanjë-Francë, me kampionët e Europës që kërkojnë një tjetër hap drejt trofeut.













