Kupa e Botës 2026 hyn në fazën çerekfinale me një superpërballje mes një prej favoritëve kryesorë për titull, Francës, dhe kampiones së Afrikës, Marokut.
Dy kombëtaret do të luftojnë për një vend në katërshen më të mirë të turneut, në një duel që pritet të jetë ndër më spektakolarët e këtij Botërori.
Franca ka qenë një nga skuadrat më bindëse deri tani, duke fituar të pesë ndeshjet e zhvilluara. “Gjelat” kanë shënuar plot 14 gola dhe kanë pësuar vetëm dy, duke konfirmuar statusin e favoritit për të fituar titullin e tretë botëror.
Në krye të sulmit është Kylian Mbappe, i cili me shtatë gola kryeson garën për “Këpucën e Artë”. Ai mbështetet nga një repart ofensiv i frikshëm me Ousmane Dembele, Michael Olise dhe Bradley Barcola.
Nga ana tjetër, Maroku vazhdon të shkruajë histori. Pas triumfit në Kupën e Kombeve të Afrikës 2025 dhe një serie prej 34 ndeshjesh pa humbje, “Luanët e Atlasit” nuk konsiderohen më surprizë, por pretendentë seriozë për titullin.
Skuadra e drejtuar nga Mohamed Ouahbi eliminoi Holandën pas penalltive në fazën e 1/32-ave dhe më pas mposhti bindshëm Kanadanë me rezultatin 3-0 në 1/16-at.
Megjithatë, Maroku ka marrë një goditje të rëndë para sfidës me Francën. Sulmuesi Ismael Saibari, autor i tre golave në këtë Botëror dhe një nga lojtarët më të spikatur të ekipit, nuk do të luajë për shkak të një dëmtimi në muskujt e kofshës.
Trajneri Mohamed Ouahbi deklaroi se skuadra e tij nuk e sheh më veten si një surprizë.
“Sot nuk jemi më një surprizë dhe kjo është një arsye krenarie. Besoj se ky është vetëm fillimi dhe shpresojmë të vazhdojmë në këtë nivel për shumë vite.”
Edhe Franca vjen me një problem në prag të ndeshjes, pasi mesfushori Aurelien Tchouameni është në dyshim për shkak të një dëmtimi. Ndërkohë, Michael Olise, Bradley Barcola dhe Manu Kone rrezikojnë pezullimin nëse ndëshkohen me karton të verdhë.
Sipas parashikimeve të superkompjuterit të Opta-s, Franca ka rreth 61.7 për qind shanse për të fituar brenda 90 minutave, ndërsa Maroku vlerësohet me 16.2 për qind. Mundësia që ndeshja të shkojë në kohën shtesë llogaritet në 22.1 për qind.
Fituesi i këtij dueli do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e sfidës mes Spanjës dhe Belgjikës.
Në përballjet direkte, Franca ka epërsi të qartë. Dy kombëtaret janë takuar gjashtë herë, me katër fitore për francezët dhe dy barazime. Takimi i fundit ishte në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2022, ku Franca triumfoi me rezultatin 2-0.













