Policia ka gjetur një armë të dytë në vendin e ngjarjes, ku u ekzekutua Ilir Gjini, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 9 korrikut në lagjen “Erdogan” në qytetin e Laçit.
Sipas raportimeve, arma e sekuestruar është një revolver, e cila është dërguar për ekspertizë, ku kjo e fundit do të përcaktojë nëse arma është përdorur gjatë ngjarjes dhe se kujt i përket.
Sipas hetuesve, dyshohet se në vendin e ngjarjes nuk kanë qenë vetëm autori dhe viktima, por edhe persona të tjerë që mund të kenë qenë të pranishëm ose të përfshirë në konflikt.
Si autor i krimit është shpallur në kërkim Emiljan Suti alias Artur Suti. Ky i fundit ka qëlluar Gjinin me shtatë plumba menjëherë pasi ai ka zbritur nga automjeti i tij pranë hyrjes së pallatit ku banonte. Gjini edhe pse ka tentuar të largohet, është ndjekur dhe qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës.
Pas të shtënave, 40-vjeçari është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por nuk arriti tu mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.
Viktima që njihej me katër mbiemra, Kokaj, Lika, Gjini e Nure, dhe autori banonin në të njëjtën lagje dhe po ashtu ata kanë pasur konflikt disa kohë më parë.
Sa i përket autorit, Emiljan Suti, alias Artur Suti, ai është emër i njohur për blutë. Suti është i dënuar me 5 vite burg për “kanosje për shkak të detyrës” dhe ka precedent penal për armëmbajtje pa leje. Ai ka qenë i arrestuar në Belgjikë për vjedhje. Ndërsa, në 2011, ka arritur t’i shpëtojë edhe një atentati para komisariatit të Kurbinit.













