Muzika italiane ka humbur një nga zërat e saj më të dashur. Peppino Di Capri, emri i vërtetë Giuseppe Faiella, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare, pak ditë para ditëlindjes së 87-të. Artisti u shua në shtëpinë e tij në ishullin e Caprit, pas një sëmundjeje të gjatë.
Me largimin e tij, Italia humbet një prej figurave më të rëndësishme të muzikës së shekullit XX. Pianist virtuoz, këngëtar me një stil të veçantë interpretimi dhe autor i shumë këngëve që kanë mbetur pjesë e historisë së muzikës italiane, Peppino Di Capri la pas një trashëgimi që shtrihet për më shumë se gjashtë dekada.
I lindur më 27 korrik 1939 në Capri, ai u shfaq për herë të parë në skenë që në moshën katërvjeçare, duke interpretuar në piano për trupat amerikane të vendosura në ishull gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fund të viteve ’50 krijoi grupin “Peppino Di Capri e i Rockers”, duke sjellë në Itali ritmet e rock’n’roll-it dhe duke u kthyer shpejt në një fenomen muzikor.
Gjatë karrierës së tij ai mori pjesë 15 herë në Festivalin e Sanremos, ku triumfoi dy herë: në vitin 1973 me këngën “Un grande amore e niente più” dhe në vitin 1976 me “Non lo faccio più”.
Publiku italian dhe ndërkombëtar do ta kujtojë për hitet e tij të pavdekshme si “Champagne”, “Roberta”, “St. Tropez Twist”, “Let’s Twist Again”, “Nun è peccato” dhe “Luna caprese”.
Performanca e tij e fundit publike ishte vetëm një vit më parë, në festivalin “Il Cinema in Certosa” në Capri, ku interpretoi këngën “Champagne” në një mbrëmje kushtuar karrierës së tij. Për shumë fansa, ajo skenë mbetet si një lamtumirë simbolike e një artisti që i dha zë disa brezave.
Në vitin 2023, Festivali i Sanremos e nderoi me çmimin për karrierën, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën italiane. Ndërsa në vitin 2025, televizioni italian Rai i kushtoi një film biografik, duke rikthyer në vëmendje jetën dhe rrugëtimin e një prej ikonave më të mëdha të muzikës së vendit.







