Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë konfirmuar se, për momentin, mbetet në fuqi afati i 20 korrikut për shpalljen e aktgjykimit në procesin ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një përgjigje zyrtare për mediat, Gjykata bëri të ditur se procedura po zhvillohet brenda afateve të përcaktuara nga vendimi i fundit i Trupit Gjykues, i miratuar më 5 maj 2026.
Megjithatë, institucioni nuk përjashton mundësinë e një shtyrjeje të re. Sipas sqarimit zyrtar, Trupi Gjykues ka parashikuar që afati mund të zgjatet vetëm nëse paraqitet një nevojë e domosdoshme, rast në të cilin palët dhe opinioni publik do të njoftohen përmes një vendimi të veçantë.
“Nëse një zgjatje e mëtejshme do të konsiderohej absolutisht e nevojshme, Trupi Gjykues do të nxirrte një urdhër përkatës në kohën e duhur”, thuhet në deklaratën e DHSK-së.
Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së konsiderohet një nga vendimet më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara dhe pritet me interes të lartë në Kosovë dhe më gjerë.














