Teksa Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, një tjetër zhvillim po e ndërlikon edhe më tej skenën politike.
Përplasjet e hapura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës – partisë që shihet si partnerja më e mundshme e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një shumice qeverisëse – kanë ngritur pikëpyetje jo vetëm për të ardhmen e saj politike, por edhe për ndikimin që mund të kenë në procesin e formimit të institucioneve.
Kërkesat publike për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, të shoqëruara me replika mes figurave drejtuese të partisë, kanë nxjerrë në pah ndasitë e brendshme që pasuan rezultatin zgjedhor.
Në këtë klimë, analistët vlerësojnë se mënyra se si do të menaxhohet kjo krizë, mund të ndikojë në kapacitetin e LDK-së për të negociuar një marrëveshje politike, edhe pse nuk besojnë se vetëm zhvillimet brenda saj do ta përcaktojnë fatin e institucioneve të reja.
Çfarë ndodhi në LDK?
LDK-ja u rendit e treta në zgjedhjet e 7 qershorit, pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos arritur të ndryshojë pozicionin që ka mbajtur edhe në dy palë zgjedhjet paraprake – më 9 shkurt 2025 dhe më 28 dhjetor 2025.
Ky rezultat riktheu debatet e brendshme mbi drejtimin e partisë.
Këtë javë, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.
Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje.
Përplasjet u reflektuan shpejt edhe në diskursin politik mes partive.
Nga koalicioni fitues u tha se mbetet e paqartë se me cilën “rrymë” brenda LDK-së duhet të zhvillohen negociatat për krijimin e institucioneve, ndërsa nga vetë LDK-ja u përgjigjën se partia ka vetëm një adresë për vendimmarrje: kryetarin Lumir Abdixhiku.
Përçarjet që e bëjnë më të vështirë vendimmarrjen
Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, thotë se debatet e fundit nuk përbëjnë një zhvillim të papritur për LDK-në.
Sipas saj, sa herë që në këtë parti është hapur çështja e lidershipit, procesi është shoqëruar me përçarje, fraksione dhe largim të figurave të rëndësishme politike.
Emini vlerëson se deklaratat për paqartësitë se me kë duhet negociuar për formimin e institucioneve të reja, janë pjesërisht politike, por njëkohësisht pasqyrojnë edhe realitetin e brendshëm të LDK-së.
“Edhe pse adresa formale për negociata është kryetari i partisë, LDK-ja karakterizohet nga fraksione të ndryshme, të cilat kanë preferenca të ndara për partneritetet politike. Një pjesë favorizon bashkëpunimin me LVV-në, ndërsa një pjesë tjetër preferon vazhdimin e bashkëpunimit me PDK-në, siç ndodh aktualisht në Prishtinë, ku të dyja partitë bashkëqeverisin në nivel lokal”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.
Mendim të ngjashëm ndan edhe analisti dhe ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Artan Muhaxhiri.
Ai thotë se, nëse përplasjet vazhdojnë, LDK-ja rrezikon të humbasë jo vetëm stabilitetin e saj të brendshëm, por edhe besueshmërinë si partnere në procesin e krijimit të institucioneve.
“Pa gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha fraksionet, nuk mund të kalohet në fazat e tjera. Fillimisht duhet adresuar pakënaqësitë e strukturave, në mënyrë që më pas të mund të ndërtohet një qëndrim i unifikuar ndaj ofertave eventuale të LVV-së”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
LDK: Vendimet i merr kryetari, por negociatat ende nuk kanë nisur
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i minimizon debatet e fundit, duke i cilësuar ato si pjesë të funksionimit demokratik të partisë dhe jo si shenjë të një krize të pazakontë.
Sipas tij, diskutime të ngjashme kanë shoqëruar edhe periudha kur LDK-ja drejtohej nga Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa, sidomos pas proceseve zgjedhore që nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme.
“Kjo është normale për LDK-në. Po të mos kishte reagime, do të duhej të pyeteshim se çka po ndodh”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.
Ai konfirmon se, deri më tani, partia nuk ka marrë asnjë ftesë për negociata, por thekson se çdo komunikim eventual duhet t’i drejtohet kryetarit të LDK-së, Abdixhiku, për t’u shqyrtuar më pas në organet drejtuese të partisë.
Deklarata e Hazirit erdhi pasi Donika Gërvalla, nga partia Guxo, e cila në zgjedhjet e 7 qershorit garoi në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, tha për televizionin KTV se brenda LDK-së ekzistojnë “disa rryma të ndryshme”, të cilat e bëjnë të paqartë se me kë duhet të zhvillohen bisedimet për një marrëveshje të mundshme.
Se kontaktet politike ende nuk kanë nisur e konfirmon edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexha.
Ai thotë se bisedimet pritet të fillojnë vetëm pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i certifikojë rezultatet përfundimtare.
“Qytetari e ka thënë fjalën e vet dhe mendoj se pushteti, por edhe presidenti duhet të zgjidhen mbi bazën e kësaj premise”, thotë Rexha për Radion Evropa e Lirë.
A mund ta pengojë kriza në LDK krijimin e institucioneve?
Pavarësisht zhvillimeve të fundit në LDK, njohësit e çështjeve politike nuk besojnë se procesi i krijimit të institucioneve të reja varet vetëm nga kjo parti.
Dështimi i partive për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit çoi në shpërndarjen e Kuvendit në fund të prillit – më pak se tre muaj pas konstituimit të tij – dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 7 qershor.
Për këtë arsye, posti i presidentit mbetet edhe tani një nga temat më të ndjeshme të negociatave të mundshme.
LDK-ja e ka bërë të qartë se ai është një nga kushtet kryesore për një marrëveshje eventuale me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.
Emini vlerëson se, aktualisht, sfidat shkojnë përtej krizës së brendshme në LDK.
Sipas saj, edhe pse përçarjet e bëjnë më të vështirë ndërtimin e një qëndrimi unik për negociata, pengesa kryesore mbeten mungesa e besimit ndërmjet partive politike dhe kalkulimet elektorale që vazhdojnë të dominojnë skenën politike.
“Sa i përket çështjes së presidentit, as kjo nuk është një zgjidhje automatike. Nuk është e sigurt që posti i presidentit do t’i ofrohej LDK-së. Por, edhe nëse kjo ndodh, mbetet e hapur çështja e emrit që do të mbështetej. Kjo lidhet edhe me raportet komplekse të Lumir Abdixhikut me Vjosa Osmanin dhe me mënyrën se si do të menaxhoheshin këta ekuilibra brenda dhe jashtë partisë”, thotë Emini.
Në listën e LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, Abdixhiku ishte kandidat për kryeministër, ndërsa Osmani kandidate për presidente.
Emini shton se, nëse partitë arrijnë konfigurime të tjera parlamentare, qeveria mund të formohet edhe pa një LDK plotësisht të konsoliduar.
“… në atë rast, pasojat e përçarjeve do të mbeteshin kryesisht brenda LDK-së”, thotë ajo.
Muhaxhiri, vlerëson se, pavarësisht formulës së ardhshme të bashkëqeverisjes, LDK-ja duhet të sigurojë rol të qartë në vendimmarrje dhe përfitime politike që do t’i shërbenin edhe perspektivës së saj elektorale.
“Në asnjë mënyrë nuk duhet të hyjë në dialog me një qasje të personalizuar. Nuk ka më sens që LDK-ja të sillet pa urgjencë vepruese dhe me indiferencë komode ndaj pozitës së saj në spektrin politik kosovar”, thotë Muhaxhiri.
Megjithatë, ai mbetet skeptik për mundësinë e një marrëveshjeje të shpejtë, duke vlerësuar se, pavarësisht deklaratave për gatishmëri për bashkëpunim, ende nuk ka shenja se partitë po afrohen drejt një kompromisi.
“Identifikimi i një personaliteti përbashkues për postin e presidentit sërish mund të shndërrohet në një përpjekje sizifiane, me rrokullisje kolektive mbrapa”, përfundon Muhaxhiri, duke iu referuar mundësisë që Kosova të përballet sërish me bllokada politike… dhe sërish me zgjedhje./REL














