Elisa Spiropali i është përgjigjur thirrjes së Edi Ramës, i cili deklaroi një ditë më parë se është gati të presë draftin për “Shqipërinë e re”.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, duke folur për protestat masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, Rama u bëri thirrje protestuesve por edhe përfaqësuesve të politikës që të sjellin draftin e tyre për “Shqipërinë e re”, ndonëse shprehu skepticizëm se një plan i tillë ekziston.
Por ditën e sotme, Spiropali ka sfiduar Ramën duke u zotuar se do të ketë një “Marrëveshje të re për Shqipërinë”.
Sipas saj, për ta arritur këtë, fillimisht Partia Socialiste duhet të gjejë forcat e të vetëpastrohet.
“Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë.
Shqipërinë që duam të ndërtojmë, duhet ta bëjmë, dhe do ta bëjmë, më të hapur, më të drejtë, më meritokratike, më europiane. Për ta arritur këtë, Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetëpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe.
Ta bëjmë Marëveshjen e Re të madhe, të thellë, të vërtetë, duke pasur parasysh, se po nuk lartësuam veten, nuk mund ta përmirësojmë vendin”,- shprehet Spiropali.
Kujtojmë se deputetja socialiste, prej disa muajsh është përfshirë në përplasje verbale me Ramën, që prej kohës kur ky i fundit e shkarkoi nga posti i Ministres së Jashtme. Disa herë Spiropali ka dalë kundër Ramës, ndërsa duket se në kulmin e protestave për largimin e tij, Spiropali ka sfiduar duke thënë se është gati të marrë drejtimin e PS-së.














