Një betoniere është bërë pjesë e protestës së zhvilluar këtë të shtunë, si simbol i asaj që organizatorët e konsiderojnë pastrim të parave përmes sektorit të ndërtimit.
Sipas protestuesve, prania e betonieres synon të tërheqë vëmendjen ndaj dyshimeve për investime të paligjshme në ndërtim, të lidhura me fitime që burojnë nga aktivitetet kriminale.
Simbolika vjen në një kohë kur SPAK ka ndërmarrë disa operacione dhe hetime ndaj biznesmenëve shqiptarë të dyshuar për lidhje me grupe kriminale, të cilët dyshohet se kanë përdorur investimet në fushën e ndërtimit për të legalizuar të ardhura të krijuara nga trafiku i drogës dhe veprimtari të tjera të paligjshme.
Përmes kësaj forme proteste, pjesëmarrësit kërkojnë më shumë transparencë dhe hetime të thelluara mbi origjinën e kapitaleve që investohen në projektet e mëdha të ndërtimit.














