Edi Rama ka konfirmuar edhe njëherë se do vazhdojë të mbajë të zaptuar karrigen e pushtetit, pavarësisht se prej më shumë se dy javësh mijëra qytetarë, brenda dhe jashtë vendit, kërkojnë dorëheqjen e tij.
Në një intervistë për “Vanity Fair Italia”, Rama u shpreh se pavarësisht protestave nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Sipas tij, vetëm kur Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian, mund ta marrë një vendim të tillë.
“Deri sa të ndjej zjarrin e pasionit do të qëndroj. Nëse Shqipëria do të pranohej në BE, mbledhja e parë si shtet anëtar do të ishte rasti më i mirë për të dhënë dorëheqjen”, tha Rama.
I pyetur më tej nëse është ende i gatshëm të heqë dorë nga veto, siç ka deklaruar në të shkuarën, Rama u përgjigj: “Absolutisht. Europa duhet të jetë si tavolina e një familjeje, ku ka disa hierarki. Nuk po them që të ketë kategori nënshtetasish, por Unioni nuk mund të funksionojë me miratimin e të gjithëve”.













