Nga Ilir Kalemaj
Në rreth një vit e gjysmë, qytetarët e Kosovës kanë dalë në zgjedhje katër herë. Së pari, zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 9 shkurt 2025, ku Vetëvendosja mbeti partia më e madhe por pa shumicë, çka çoi në një bllokadë të gjatë institucionale. Pastaj erdhën zgjedhjet lokale, që u mbajtën më 12 tetor 2025, me një raund të dytë më 9 nëntor 2025 në 21 komuna ku asnjë kandidat nuk fitoi shumicën (50%) e votave. Më pas u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor 2025, sërish për shkak të pamundësisë për formimin e qeverisë pas shkurtit.
Dhe së fundi, zgjedhjet e reja parlamentare u mbajtën të djelën pasi më 28 prill 2026 Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe u shpërnda. Pra, gjithsej tri zgjedhje parlamentare (shkurt 2025, dhjetor 2025, qershor 2026) plus një palë zgjedhje lokale me dy raunde (tetor–nëntor 2025) brenda rreth 16 muajve që shenjon një nga periudhat me më shumë zgjedhje në historinë e Kosovës por edhe në rang rajonal dhe më gjerë
Vija e kuqe që lidh të katër zgjedhjet është një paradoks i vetëm. Vetëvendosja e Albin Kurtit fiton bindshëm çdo herë, por sistemi nuk e lejon ta kthejë këtë epërsi në qeverisje të plotë e të qëndrueshme. Kjo është një fitore si e Pirros njëfarësoj se e lë dhe vet fituesin të plagosur dhe shkaku nuk është vetëm sjellja e aktorëve, por dhe vet arkitektura kushtetuese.
Ngërçi nisi nëshkurt 2025, pra para një viti e kusur. Vetëvendosja mbeti partia më e madhe me 42.3% të votave, por pa shumicë — 48 vende, që përbënin pluralitet e jo shumicë. Problemi nuk ishte aritmetika, por bllokimi i ndërsjellë: si PDK ashtu edhe AAK deklaruan se nuk do të formonin qeveri me LVV-në, dhe Kurti i refuzoi po ashtu. Rezultati ishte hera e parë që Kosova dështonte të formonte qeveri që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në 2008, me mbi 50 përpjekje të dështuara për formimin e qeverisë dhe një ngërç për Kryeparlamentar që zgjati deri më 26 gusht.
Zgjedhjet lokale të tetor–nëntorit 2025shpesh nënvfleftësohen por janë të rëndësishme për të kuptuar trendin e votimit dhe sjelljen e votuesve.
Në raundin e dytë të 9 nëntorit, pjesëmarrja ra në 32.82% nga 48.12% në raundin e parë, dhe në ndarjen e kryetarëve të komunave, Lista Serbe doli me 10, LDK-ja dhe LVV-ja me nga 7, PDK-ja me 6 dhe AAK-ja me 5 kryetarë respektivisht. Pra në nivel lokal, dominimi kombëtar i LVV-së u zbeh dukshëm. Ky ishte sinjali i parë se hegjemonia e Kurtit kishte kufij territorialë e lokalë që shifrat kombëtare i fshehnin.
Mandej dhjetori i vitit që lamë pas ishte kulmi absolut. Vetëvendosja fitoi 51.1% dhe 57 nga 120 vendet. Ky ishte rezultati më i fortë i çdo partie që nga pavarësia, ndërsa PDK-ja mori 20.2% (22 vende) dhe LDK-ja 13.2% (15 vende). Logjika ishte e qartë: votuesi e shpërbleu Kurtin për ngërçin, duke e fajësuar opozitën. Dukej se ngërçi mbaroi kur Albulena Haxhiu u zgjodh Kryeparlamentare më 11 shkurt 2026 nga 66 deputetë. Por ishte një paqe e rreme.
Këto zgjedhje ndodhën sepse u shkel pengesa e vërtetë e sistemit e cila ishte zgjedhja e Presidentit. Presidenti zgjidhet nga Kuvendi dhe kërkon 80 vota, dhe pikërisht kjo barrierë e dy të tretave e shkatërroi gjithçka: përpjekja e parë e 5 marsit dështoi për mungesë kuorumi, ndërsa pas mosrealizimit të afatit, Kuvendi u shpërnda më 28 prill dhe zgjedhjet u caktuan për 7 qershor, pasi tri partitë kryesore opozitare (PDK, LDK dhe AAK) bojkotuan seancën duke e cilësuar atë “shfaqje propagandistike”.
Rezultati i 7 qershorit përmban tre të dhëna që, lexuar bashkë, janë alarmante. Së pari, rënia e LVV-së. Me 97.8% të votave të numëruara, Vetëvendosja doli me 43%, përpara PDK-së me 21% dhe LDK-së me 17.6%, dukshëm më pak se rreth 51% që mori në dhjetor. Efekti “shpërblim për ngërçin” u shua, pasi një pjesë e votuesve e ndëshkuan Kurtin për ricikilimin e krizës. Së dyti, kolapsi i pjesëmarrjes. Pjesëmarrja ra nën 37%, krahasuar me 45% në zgjedhjet e mëparshme, duke reflektuar zhgënjimin në rritje të qytetarëve ndaj zgjedhjeve të përsëritura. Kjo është shenja më e rrezikshme: lodhja zgjedhore erodon legjitimitetin e çdo mandati që del prej saj. Së treti, personalizimi i konfliktit.
Osmani iu bashkua opozitës LDK në zgjedhje, pasi u kthye kundër Kurtit kur ai refuzoi ta mbështeste për një mandat të dytë, ndërsa partitë opozitare e akuzojnë Kurtin se kërkon të vendosë kontroll të plotë mbi të gjitha institucionet. Kjo ka shndërruar ndasinë në diçka më pak ideologjike (majtas–djathtas) dhe më shumë në një bllok pro/kundër-Kurti.
Vlen të theksohet edhe konteksti i integritetit: policia hapi 17 raste penale për shkelje të dyshuara zgjedhore, përfshirë blerje votash dhe cenim të fshehtësisë, me pesë të arrestuar, megjithëse kryetari i KQZ-së tha se procesi shkoi pa probleme që do të kishin ndikuar integritetin. Numërimi nuk është ende përfundimtar pasi mbeten të numërohen rreth 100,000 vota të kosovarëve jashtë vendit, që mund të zhvendosin pak përqindjet dhe ndarjen e ulëseve.
Kosova kësisoj ka rënë në një kurth të demokracive konsensuale. Pragu i dy të tretave për Presidentin u projektua për të prodhuar konsensus mes komuniteteve dhe partive. Por në një sistem të skajshmërisht të polarizuar, ai mekanizëm konsensusi shndërrohet në mekanizëm bllokimi: i jep opozitës një veto përmes bojkotit.
Kjo është një patologji e njohur, të njëjtën dinamikë e kemi parë në Liban, Irak apo Bosnje, ku rregullat e bashkëqeverisjes bëhen mjete ngërçi.Pasoja është e thjeshtë dhe brutale: Kurti ka pak gjasa të arrijë 61 votat për të formuar qeverinë (me parti të vogla dhe vendet e rezervuara të minoriteteve), dhe nuk mund të arrijë kurrë 80 votat për Presidentin pa opozitën.
Dhe opozita ka çdo nxitje racionale të mos bashkëpunojë, sepse çdo ngërç e detyron Kurtin ose në lëshime, ose në zgjedhje të reja që, siç pamë në qershor, ia gërryejnë mbështetjen.
Por shanset janë të mëdha qëkemi potencialisht një marrëveshja të madhe mes pozitë-opozitës. Thirrjet e Kurtit menjëherë pas mbarimit të zgjedhjeve pasi u njoh me rezultatin paraprak, deklaratat e Hamzës për mospasje të vijave të kuqe ndaj asnjë partie dhe se pa marrëveshje politike nuk ka institucione, rezultati i kënaqshëm i AAK-së që ruajti dhe minimalisht forcoi pozitat e saj politike dhe parlamentare nën drejtimin e ri të Gjinit dhe përmisimi me katër përqind i LDK-së pas bashkimit me Vjosa Osmanin që udhëhoqi listën e saj, por që gjithsesi e lënë këtë subjekt politik në vend të tretë dhe shumë larg pritshmërive janë sinjale që flasin për një vulnerabilitet të shumëanshëm por qëështë premisë e mirë për të arritur një kompromis.
Nxitja për marrëveshje konsensuale në dobi të forcimit të shtetndërtimit dhe institucioneve ka ardhur menjëherë dhe nga faktori ndërkombëtar, qoftë amerikanët që nuk duan destabilitet në rajon dhe janë investuar fort për shtetndërtimin e republikës së re, qoftë për Bashkimin Evropian qëështë përspektiva e afërt dhe aspirata kryesore e qyetarëve të vendit.
Një zgjidhje tjetër mund të ishte reforma kushtetuese. Zgjidhja afatgjate do të ishte ndryshimi i rregullave (ulja e pragut ose zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit). Por edhe kjo kërkon dy të tretat, pra problemi e bllokon zgjidhjen e vetes.
Dilema e famshme e pulës dhe e vezës, pra duhet që kjo trupë legjislative e mandatuar të bjerë dakord për ndryshim të rregullave të lojës së të ardhmes apo ato duhet të ishin ndryshuar për të garantuar stabilitet qeverisës dhe parandalim të kolapsit institucional në krye të herës.
Kosova synon afrimin me BE-në dhe NATO-n, dhe paqëndrueshmëria e zgjat vonesën e financimeve ndërkombëtare dhe e dobëson pozitën në dialogun Prishtinë–Beograd. Veriu me shumicë serbe mbetet pikë e nxehtë, dhe çdo qeveri e brishtë është më e cënueshme në negociata të jashtme. Po ashtu, optikat e kithta të të dy palëve vështirësojnë cdo kompromis që do të forconte demokracinë dhe institucionet, nxiste llogaridhënien dhe përshpejtonte integrimin e Kosovës në strukturat evroatlantike.
Sipas Kurtit dhe LVV-së, opozita po saboton vullnetin e qartë popullor përmes bojkoteve antidemokratike. Sipas opozitës, Kurti është një mazhoritarist që refuzon kompromisin dhe synon dominim institucional. Diagnoza e ftohtë është se asnjëra anë nuk e shpjegon plotësisht ngërçindhe ky është para së gjithash një defekt sistemik, i amplifikuar nga sjellja strategjike e elitave të të dyja palëve. A do ta arrijnë ato të kapërcejnë veten dhe të gjejnë një zgjidhje të denjë për votuesin që i ka besuar por që gjithnjë e më shumë po tregohet skeptik dhe apatik në pjesmarrje zgjedhore?
A i kanë lexuar sic duhet kësaj radhe mesazhet e zgjedhjeve dhe ato të ndërkombëtarëve? Dhe a kanë përgjegjësi përkundër historisë, në këto udhëkryqe të rëndësishme për republikën e re që ballafaqohet me kriza por edhe mundësi të shumëfishta, nga vendimi i pritshëm përgjatë verës i Hagës për krerët e UÇK-së deri te fati i mbramë i marrëveshjes me Serbinë apo avancimi në strukturat evro-atlantike dhe njohjen e mëtejshme ndërkombëtare.














