• Kontakt
Monday, June 8, 2026
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Fundi i palavdishëm i makiavelizmit

14:05 : 08/06/2026
në AKTUALITET, KRYESORE, POLITIKE

Në Shqipëri thuhet rëndom se Rama është hajdut, por i zoti. Strateg. Disa hapa përpara rivalëve. Po, vërtet ka rreshtuar partinë, Kuvendin, median, ka eliminuar opozitën, kontrollon terrenin me patronazhistë dhe kriminelë, magjeps ndërkombëtarët dhe popullin me mjete spektakolare propagande, përtall njerëzit, e kështu me radhë.

Edhe ç’ë që qeveris me skandale, gajasje dhe karagjozllëk? Ka fituar mandatin e katërt. Kush nuk e kapërdin dot që suksesi të jetë i paskrupullt, është thjesht naiv, ose më keq: moralist për të mbuluar paaftësinë e vet. Por për njerëzit me logjikë të ftohtë dhe të çmagjepsur nga përrallat me moral, fakti është që ai është i zoti.

Kështu nuk flitet më vetëm për Ramën. Kështu flitet edhe për Ballukun, dhe kështu është folur edhe për Erion Veliajn, Elisa Spiropalin, e shumë e shumë të tjerë të rënë nga vakti. Kështu në fakt është folur edhe për Berishën, por përgjithësisht gjykohet që Rama i ka kapërcyer të gjithë në këtë zotësi dhe është bërë model. Kush e kritikon ka thjesht hallin që s’ia kalon dot.

Kjo lloj zotësie në politikë njihet gjerësisht si makiavelizëm, falë librit famëkeq Princi të diplomatit dhe filozofit fiorentin të shekullit të 16-të, Nikolo Makiavelit. Në këtë libër, Makiaveli shkruan se që të kapë apo ruajë pushtetin, princi duhet të jetë i gatshëm të jetë edhe luan, edhe dhelpër: të dijë kur duhet forcë dhe kur dinakëri dhe të mos ngurrojë t’i përdorë të dyja.

Është marrëzi që një princ të kërkojë të jetë i mirë në një botë përplot me hileqarë dhe të pabesë. Pra, është marrëzi të jesh i moralshëm përballë Berishës. Po ashtu, marrëzi është të duash të jesh bujar apo i butë dhe paqësor, sepse bujaria ngre pritshmëritë e popullatës dhe çon në falimentim, ndërkohë që butësia thjesht vonon konfliktin derisa mund të kesh humbur avantazhin, ose tejzgjat vuajtjen në emër të paqes. Gjithashtu, edhe pse mirë është të të duan, një princ është më i sigurt po t’i tremben. Dashuria e njerëzve është fluturake. Frika është forcë më e qëndrueshme. Udha e mirësisë dhe e virtytit në kuptimin klasik është udha e rrënimit. Rruga e suksesit është ajo e një lloji tjetër virtyti që Makiaveli nuk e përkufizon, por e ilustron – zotësia për forcë dhe dinakëri. Me pak fjalë, rëndësi ka të jesh i zoti, të arrish qëllimin, paçka se vjedh, kërcënon, mashtron, shtyp, etj. Këto gjykohen vetëm kur humbet.

Lexo edhe:

Berisha: PD mbështet kërkesat e protestuesve, por nuk jemi kundër investimeve të huaja

PD dorëzon në Kuvend shfuqizimin e 4 ligjeve, kërkon dorëheqjen e Ramës

Sjellja politike e Ramës është etiketuar shpesh si makiavelike. Por një lexim më i vëmendshëm i Makiavelit dhe i situatës, na nxjerr në tjetër konkluzion.

Së pari, Makiaveli ndan që në fillim të librit republikat nga principatat, dhe vijon të saktësojë që po shkruan për principatat. Shqipëria është republikë demokratike dhe një pyetje legjitime është, nëse mjetet e pushtetit në një republikë demokratike mund të jenë të njëjta me ato të principatave. Rendet princërore – të karakerizuara nga hierarkitë në bazë gjaku dhe trashëgimia e pushtetit — drejtohen nga parime krejt të tjera nga ato të republikave demokratike ku zotëron parimi i lirisë, ku pushteti është i shpërndarë dhe i kontrollueshëm. Dikush mund të thotë se ky saktësim nuk mjafton, pasi në thelb, natyra e pushtetit nuk ndryshon me llojin e rendit. Pushteti është pushtet, si në principatë, si në republikë. Në të gjitha sistemet ka rivalë që duhen dobësuar, shpartalluar, eliminuar politikisht. Në të gjitha sistemet duhet të jesh edhe i fortë, edhe dinak.

Por në të gjitha sistemet ka edhe një forcë, që edhe pse shpesh e padukshme, u dikton vendin edhe princëve. Kjo forcë është opinioni publik.

As princi sipas Makiavelit nuk e anashkalon dot opinionin publik. Frika vërtet mund të jetë më efektive se dashuria, por ama mbjellja e urrejtjes është fatale për princin, dhe këdo. Dashuria nuk mjafton sepse njerëzit i harrojnë të mirat, por ama nuk harrojnë krimet dhe plagët e padrejtësive të mëdha. Mbjellja e urrejtjes në shpirtrat e tyre vepron si një kërcënim i vazhdueshëm për pushtetin. Ndaj, thotë Makiaveli, princit mund të mos i lipset të jetë i mirë realisht, por i lipset të duket i tillë, sepse edhe në principata ka një rend moral që rregullon marrëdhëniet mes popullit dhe princit. Injorimi i këtij rendi ka gjithmonë kosto.

Nuk di të them se sa urrejtje ka mbjellë Rama dhe oborrtarët e tij në Shqipëri duke qenë që – për të gjitha arsyet – rezultati i zgjedhjeve është ai që pamë. Por tetë ditë protesta, hemorragjia e vazhdueshme e shqiptarëve drejt emigracionit, dhe biseda pafund me plot e plot shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, flasin qartë për një mllef dhe neveri të thellë me të dhe gjithë modelin çifligar e të paskrupullt që ka ngritur. Neveria, mllefi, ndjenja e padrejtësisë, indinjata — këto janë pasione po aq kërcënuese për çdo pushtet sa edhe urrejtja.

Indinjata trondit çdo lloj pushteti. Shpërfillja apo përtallja e saj është një luks gënjeshtar që as deliranti më i madh nuk e shijon dot gjatë. Prandaj edhe çdo protestë jo-partiake e këtyre viteve – për armët kimike, për studentët, për Klodian Rashën – ka patur rezultat, të plotë apo të pjesshëm. Rama e di këtë, prandaj edhe mëton ta shfryjë forcën e protestave aktuale duke folur për ‘indinjatë të fabrikuar’ nga ‘tregtarët profesionistë të indinjatës’ e të provojë çdo makinacion të mundshëm – me serbë, grekë, iranianë, dhe gej — vetëm e vetëm që të mos i prishet projekti, që nuk ekziston sepse po projektohet, por çka nuk ekziston, në asnjë rast nuk duhet prishur. Vetëm e vetëm, pra, që të ruajë pushtetin për të plaçkitur vendin.

Përveç opinionit publik, Makiaveli i vendos makinacioneve të pushtetit edhe një kufi tjetër ku përcakton jo një, por dy qëllime për princin: ruajtja e pushetit dhe lavdia. Lavdia nuk është një qëllim sekondar për udhëheqësin, por një qëllim që kufizon edhe të parin, ruajtjen e pushtetit. Kjo bëhet veçanërisht e qartë kur Makiaveli diskuton Agathokliun e Sirakuzës dhe Oliverotton e Fermo-s. Agathokliu i Sirakuzës erdhi në pushtet duke futur në kurth dhe vrarë në befasi gjithë elitën e Sirakuzës, duke ngelur kështu pa asnjë rival apo oponencë. Edhe Oliverotto i Fermo-s erdhi në pushtet pas një masakre të ngjashme: vrau gjithë të shquarit e Fermo-s dhe vetë ungjin e tij që e kishte rritur, terrorizoi ç’kishte mbetur nga institucionet, dhe e shpalli veten princ absolut. Këto kurthe dinake të pasuara nga masakra të përgjakshme duken konform virtytit makiavelik — zotësisë.

‘Por’, shkruan Makiaveli, ‘të vrasësh qytetarët e tu, të tradhëtosh miqtë, të jesh i pabesë, i pamëshirshëm, i pafe nuk mund të quhet virtyt; me këto metoda mund të arrihet pushteti, por jo lavdia.’ Agathokliu i Sirakuzës qëndroi në pushtet derisa vdiq, por mizoria dhe krimet e tij, thotë Makiaveli, ia mohojnë atij renditjen mes emrave të lavdishëm të historisë. Ndërsa Oliverotto pati një fund të ngjashëm me atë që u rezervoi rivalëve të tij: u rrëmbye dhe u vra, konform modelit që vendosi vetë.

Shembujt që Makiaveli përdor janë të llahtarshëm, të nxjerrë nga shekuj mjaft më barbarë të historisë së njerëzimit. Edi Rama nuk ka prerë grykë rivalësh. Dhe gjithsesi, të mos vrasësh e presësh si Agathokliu i Sirakuzës duket një standart tepër i ulët për të bërë emër të mirë.

Por në kohët moderne, siç nuk është nevoja të luftosh si Aleksandri i Madh për të siguruar një vend të lavdishëm në histori, ashtu edhe nuk është e nevojshme të vrasësh për ta humbur këtë shans. E humbet kur lë pas një bilanc zotësish ordinere. Inceneratorët, koncesionet në shëndetësi, dosja 5D, rrugët dhe ARRSH, fondet e BE-së për bujqësinë, aferat e AKSHI-t, janë të gjitha thjesht vjedhje të shitura si zhvillim.

Lavdia e kohëve moderne merr më shumë trajta shtetformuese, ekonomike, kulturore, përfshi këtu edhe arkitekturore. Sidomos në shtetet postkomuniste, historia do kërkojë të shquajë udhëheqës që jo vetëm i hodhi fati në një moment historik si rënia e komunizmit, që jo vetëm arritën të kapnin frerët e pushtetit, por që ndërtuan rendin e ri: republikën demokratike që kërkohej. Lavdia e kohëve moderne do u rezervohet atyre që ndërtojnë një kulturë demokratike të çliruar nga vesi i spiunit, nga fantazmat e agjenturave të huaja, të aftë të pranojnë lirinë dhe sfidat që ajo përherë i shtron pushtetit. Lista e palavdishme e atyre që e kanë shtypur Shqipërinë është mbushur. Vende bosh për të bërë emër ka vetëm në listën e atyre që e kanë emancipuar. Për ata që mund të marrin votat dhe brohoritjet e një populli të lirë, jo për ustallarët e vjedhjeve, shtypjeve, dhe harbutërisë.

Në rrafshin ekonomik, zor të thuhet se mund të zësh një vend të lavdishëm në histori si flamurtari i një shteti bandit që merr nga të varfrit për t’u dhënë të pasurve, si ai që zhvati plaçkën publike, shpronësoi sipas qejfit, bëri ligje për emra të përveçëm për të krijuar një ekonomi oligarkësh dhe shërbëtorësh. Në kulturë, nuk e di çfarë lavdie mund të pritet nga një qeveri që pas trembëdhjetë vitesh në pushtet, drejton sot një vend plot kulla me estetikën e rafinuar të një kanaçeje, por pa teatër kombëtar (prej gjashtë vitesh), pa muze historik, as galeri kombëtare, as bibliotekë kombëtare të denjë, as shumëçka tjetër. Atë çfarë arrijnë artistët apo intelektualët shqiptarë vetë, pavarësisht gjithë vështirësive që hasin, është meritë e tyre, jo e Ramës apo e oborrit të tij. Ajola Xoxa, po, mund të bëjë emër si sponsorizuesja e një vepre arti në një fushë plehrash ku bashkëshorti i saj mbuloi një krim të kobshëm.

Lavdia moderne që kërkon Rama shquhet te retorika për shtetformim, për një administratë moderne, ministër AI, investime strategjike, turizëm elitar, zhvillim urban. Por kush jeton në Shqipëri e ka kuptuar se retorika e ‘Rilindjes’ ka qenë vetëm një makinacion. Çfarë ngelet nga qeveritë Rama pasi heq makinacionet? Një kulturë banditësh dhe harbutësh.

Ngjarje dhe zhvillime të rënda kanë shënjuar ndërgjegjen kolektive këto vite. Jo çdokush ka qenë i ndjeshëm për secilën ngjarje, por të marra të bashku ato formojnë pamjen e një klase politike të degraduar, të paskrupullt, të pabesë, të babëzitur e të pangopur, injorante, gdhë, por të pispillosur, të pandjeshme dhe përbuzëse ndaj shumicës së shqiptarëve.

Makiavelizmi, i kuptuar trashë dhe i ngritur në sistem, futi kriminelë në Kuvendin e Shqipërisë e në bashki – edhe atëherë kur nuk kishte rivalë të tjerë në zgjedhje! Kjo klasë politike aspirantësh makiavelikë burgosi fukarenj për një faturë dritash dhe shkelmoi plaka që shisnin rigon, ndërkohë që bënte ligje sipas nevojave të oligarkëve. Falë këtij sistemi, një qytetar u mor zvarrë dhe u dhunua nga forca sigurie private që rrethuan një pronë publike, ndërkohë që Policia e Shtetit bënte sehir. Falë këtij sistemi, diagnoza me kancer kthehet në dënim me vdekje në Shqipëri.  Kjo klasë politike ka kërkuar që shqiptarët të gëlltisin vrasjen e katër njerëzve në bulevard, dhjetëra të tjerëve në Gërdec, ngritjen në pushtet të kriminelëve, kanabizimin e vendit, shpronësimin, zhvatjen, shtypjen, dhe në fund edhe talljen.

Nuk listohen dot të gjitha, por këto pak ngjarje mjaftojnë për të zgjuar kujtesën dhe për të shquar pamjen: vite grykësie, shtypjeje, dhune, përçmimi, dhe votimi me këmbë. Një grykësi aq e pamatë dhe aq e sigurt në vetvete sa nuk u kujdesën fare ta mbulonin. Një shtypje aq harbute, një përbuzje kaq e pafre. Një këmbëngulje kaq e sëmurë për të nënshtruar çdokënd.

Tetë ditë protesta kanë treguar se ky makiavelizëm, larg nga lavdia, ngriti një shtet bandit, prodhoi servilë e skllevër të princit dhe të grykësisë së tyre, por edhe neveri, mllef, indinjatë dhe rebelë. Zhveshja e pushtetit nga çdo shëmbëllim morali i jep hov edhe ekstremizmave të gjithëfarllojshme. Të gjitha këto forma rebelimi janë në shesh këto ditë. Sepse mungesa totale e çdo boshti moral në politikë është e padurueshme, dhe çon në kërkim të një boshti tjetërkund. Dikush e gjen te ideali i republikës demokratike, dikush te feja, e dikush te nacionalizmi, e kështu me radhë. Prandaj pankartat e këtyre ditëve variojnë nga kërkesa për llogari dhe ‘memes’ satirike, te ‘plumba tradhëtarëve’.

Rendet shoqërore janë domosdoshmërisht rende morale, sepse njerëzit nuk jetojnë dot bashkë pa nocione e rregulla drejtësie. Një politikë haptazi e paskrupullt është çorientuese dhe gjithmonë do të prodhojë rezistencë. Po nuk i njohu vetes vija të kuqe — po nuk pranoi institucione që ta mbajnë në binarë dhe po nuk njohu thirrjet e opinionit publik — rrezikon ta çojë vendin në dhunë.

Makiaveli i makinacioneve pambarim mund të joshë ndokënd që kërkon t’i veshë hajdutllëkut të vet petkun e një filozofi. Por makiavelizmi i vetë Makiavelit ka kufij: pushteti mbahet duke respektuar rendin moral që i mban njerëzit në shoqëri dhe ushtrohet me qëllim lavdinë, jo grykësinë, një ves krejt i rëndomtë.  Lavdia e Ramës do të ishte, pas trembëdhjetë vitesh, një Shqipëri e lirë, e drejtë, dhe e begatë. Sikleti i kryeministrit është që tetë ditë protesta po i shkruajnë një tjetër fund. /BIRN

Etiketa: Edi Ramaprotestaqeveri

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Berisha: PD mbështet kërkesat e protestuesve, por nuk jemi kundër investimeve të huaja

14:39 : 08/06/2026
AKTUALITET

PD dorëzon në Kuvend shfuqizimin e 4 ligjeve, kërkon dorëheqjen e Ramës

13:46 : 08/06/2026
AKTUALITET

Delegacioni i BE në Tiranë del kundër Ramës: Mbro natyrën, sa je në kohë!

11:04 : 08/06/2026
AKTUALITET

Rama tallet me pankartat e protestuesve: Rroftë mememania!

10:19 : 08/06/2026
AKTUALITET

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

09:56 : 08/06/2026
AKTUALITET

Protestat kundër Ramës shtrihen deri në Kanada, diaspora kërkon dorëheqje

09:21 : 08/06/2026
Para

"Uria urbane ishte e madhe..."/ Dëshmia e Rulit për "Partizanin": Ja biseda në zyrë me Albert Xhanin

TË GJITHA

Autori i vrasjes Sadik Llani

Vrasja në Kamëz/ Autori Sadik Llanaj rezulton me precedent penal, i dënuar për drogë dhe vjedhje

15:17 : 08/06/2026

Euro e nis javën në rënie të mëtejshme, zbret drejt pragut të 95 lekëve

15:17 : 08/06/2026

Vrau 27-vjeçarin në Paskuqan, policia ofron 10 mijë euro për ‘kokën’ e Sadik Llanit

15:11 : 08/06/2026

“Ping-pongu” për mandatin e Hajdarit, Maliqi: Zvarritje dhe mbrojtje e turpshme politike

14:58 : 08/06/2026

Shkarkimi i Kreshnik Hajdarit, KAS kthen çështjen për gjykim te Celibashi

14:47 : 08/06/2026

Berisha: PD mbështet kërkesat e protestuesve, por nuk jemi kundër investimeve të huaja

14:39 : 08/06/2026

Sherr me grushte dhe të shtëna me armë zjarri në Velipojë, një i plagosur

14:28 : 08/06/2026



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com

deneme bonusugrandpashabet girişmatbet girişultrabetjojobetbetpark girişJojobetJojobet Girişcasibom girişGrandPashaBet Şikayetvardeneme bonusu veren siteler 2026Casibom GirişCasibomcasibomcasibomjojobetcasibom girişjojobet giriş