Një mjet lundrues është bllokuar nga Policia Kufitare në zonën e Borshit, pasi u konstatua duke lundruar brenda hapësirës së rezervuar për pushuesit, duke vënë në rrezik sigurinë e personave që ndodheshin në det.
Shkelja u evidentua gjatë kontrolleve intensive që autoritetet po zhvillojnë përgjatë vijës bregdetare në kuadër të sezonit turistik. Sipas policisë, mjeti kishte hyrë në perimetrin e sigurisë për pushuesit në zonën e njohur si “Krorëz”, ku ndalohet qarkullimi i mjeteve lundruese.
Pas verifikimeve të kryera në vendngjarje, drejtuesi i mjetit u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa autoritetet vendosën edhe bllokimin e mjetit lundrues.
Policia Kufitare u ka bërë thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, duke shmangur hyrjen në zonat e përcaktuara për pushuesit.
Sipas autoriteteve, kontrollet dhe patrullimet në bregdet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror, me qëllim parandalimin e shkeljeve dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve në plazhe.













