Planet për ndërtimin e resorteve luksoze në Zvërnec dhe Sazan kanë nxitur protesta të forta në Shqipëri, por edhe një jehonë të gjerë në mediat ndërkombëtare.
Ndërsa kryeministri Edi Rama fillimisht i cilësoi kritikat si pjesë e një “lufte hibride” të nxitur nga fqinjët, reagimi mediatik kaloi shpejt kufijtë e rajonit dhe mbërriti në gazetat dhe televizionet më prestigjioze të botës.
Mediat amerikane si The New York Times, Associated Press dhe Fox News kanë raportuar mbi protestat kundër projekteve të lidhura me Kushnerin, duke theksuar shqetësimet për mjedisin, transparencën dhe hetimet e SPAK.

Revista investigative Mother Jones ka ngritur dyshime për mënyrën e realizimit të projektit, ndërsa The Guardian ka vënë theksin te rreziku për biodiversitetin dhe ndryshimet ligjore që, sipas kritikëve, i hapin rrugë investimit.

Edhe mediat europiane i kanë kushtuar vëmendje të madhe çështjes. Kathimerini në Greqi e ka trajtuar si problem rajonal me ndikim në ekosistemin detar, ndërsa Le Parisien, Financial Times, Politico, Der Spiegel dhe Euractiv kanë raportuar për protestat, përplasjet me policinë dhe debatet politike që po shoqërojnë projektin.

















