Ervis Mata, i njohur ndryshe si “Boli”, është arrestuar dy ditë më parë në São Paulo, Brazil.
Sipas raportimeve, Mata u arrestua gjatë një operacioni të përbashkët të policisë federale dhe asaj ushtarake braziliane. Ai ishte në arrati prej vitesh dhe kërkohej nga drejtësia shqiptare.
Autoritetet braziliane bëjnë me dije se 39-vjeçari u lokalizua pas informacioneve të inteligjencës që tregonin lëvizjen e tij nga zona e Baixada Santista drejt bregdetit verior. Ai u ndalua në një ambient tregtar dhe më pas u shoqërua në një komisariat të Policisë Federale.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi dy telefona celularë dhe dokumente identifikimi që përdorte i dyshuari.

Mata ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që në vitin 2023, ndërsa në vitin 2025 ishte firmosur edhe urdhri për arrestimin e tij me qëllim ekstradimin. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe veprimtari të tjera të paligjshme.
Hetimet kanë zbuluar se Mata dyshohet se ka koordinuar trafikimin e 240 kilogramëve kokainë në Frankfurt, në vitin 2020, nga ku dyshohet se ka përfituar miliona euro.
Po ashtu, sipas mediave braziliane, ai dyshohet edhe për përfshirje në organizimin dhe financimin e ngjarjeve kriminale të rënda.
Autoritetet shqiptare kanë kërkuar zyrtarisht ekstradimin e tij, ndërsa pritet vijimi i procedurave ligjore mes dy vendeve.
LEXO EDHE:














