Nga Boldnews.al
Kryeministri Edi Rama nuk la kreun e Grupit Parlamentar të PS-së që të lexonte vendimin që vetë Rama do merrte kundrejt ish-ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila në qejfmbetje të thellë për mënyrën sesi u shkarkua, nisi të dalë nga rreshti.
“Tek puna e partisë nuk mund të bëni drama, dhe për këtë po të drejtohem ty Elisa. Nuk dua të krijoni situata në parti. Partia ka dy ngjyra, bardhë e zi. Ose bardhë dhe me ne, ose zi dhe përballë nesh”, mësohet se i ka thënë Rama, duke i dhënë ultimatumin: “Herën e parë nuk erdhe në votim (i referohet votimit për imunitetin e Ballukut). Herën e dytë bërë çarçafin (i referohet postimit në fb) dhe herën e tretë nuk ka, del jashtë këtij grupi”, i tha fjalën e fundit Spiropalit, duke mos i lënë as mundësi që të kishte qëndrimin e saj, pavarësisht se kërkoi fjalën.
Rama është i qartë! Ripërmendi edhe një herë rregullat e lojës sidomos me fjalën “ka bardh ose zi”, duke quajtur të “zezë” çdo zë dhe mendim kundër si një herezi që duhet ndëshkuar po nga ai vetë. Nuk mund të ketë larmi mendimi dhe Rama është i qartë. Përmendi se nuk mund të “bëhen drama”, duke cilësuar si “gjëmë” një copë qëndrimi të Spiropalit në rrjetin e saj social, aty ku kushdo (nëse ia mban, ka mundësi të thotë çtë mendojë).
Këto janë rregullat e vendosura nga kryeministri që mban mandatin e katërt radhazi me një luguni zyrtarësh të lartë të përgjedhur prej tij që erdhën nga hiçi dhe u bënë të superpushtetshëm me para e ndikim, gjithnjë duke futur duart e gjata në taksat publike dhe kthyer korrupsionin dhe lidhjen me oligarkinë dhe krimin, si mënyrë e të qeverisurit.
Fjala tjetër mjaft e qartë: “Nuk do ketë herë të tretë”, duke ia thënë shkurt se do të përjashtohet tashmë lë litarin jasht… Po Elisa a do ketë një herë të tretë? Deri më tani në qëndrimet e saj ka tentuar të thotë disa të vërteta, ndonëse nuk ka një njësi matëse sa ngjisin këto të vërteta, pasi vetë ajo ka qenë pjesë e këtij pushteti “të zi”, që ai i madhi urdhëron që i duhet thënë “i bardhë”.
Spiropali fare haptas kritikon mënyrën e të qeverisurit nga Rama, por gjithashtu tentoi ta kthejë debatin brenda partisë si “normë demokratike”, duke ruajtur të njëjtin sistem brenda saj, por nuk priti reagimin e Ramës, ose ultimatumin kaq të shpejtë. Një copë qëndrimi në një copë rrjeti social në fakt tregoi diçka të madhe që shosha e propagandës tenton të fshehë diellin.
Kryeministri në mandatin e katërt po shkel me këmbë çdokënd që i del paksa kundër. Po ua pret kokën sapo ata tentojnë ta ngrejnë. Shpata e tij është aq e ndryshkur por funksionale që nga vitit 1941, kohë kur u themelua Partia Komuniste Shqiptare, më vonë ndërroi emër si Partia e Punës dhe në fillim të viteve 90’ mori emrin që ka sot: Partia Socialiste e Shqipërisë.
E vetmja që ka ndryshuar është se mungon “arrestimi pa gjyq”, pasi gjyqi që të bën partia është edhe më i rëndë, duke kthyer konceptin e “internim dëbimit”. Spiropali është në fazën e dëbimit nga partia, ndërsa “internimi” ndodh në mënyrë graduale. Tatimorët shkojnë në bizneset e saj duke ua dridhur leqet për humbjen e pasurisë, kur shpata e drejtësisë (sigurisht jo si ajo e Heroit Kombëtar që dikur Spiropali e krehasoi kërcënuesin e sotëm) është në duart e Ramës, kokat priten edhe nëpërmjet çekiçit të gjyqtarit të varur nga pavarësia. Pyetja që ende mbetet: a do ketë një herë të tretë për Spiropalin?














