Dy të rinj nga Laçi kanë rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se tentuan të grabisin një argjendari në qytetin e Pogradecit.
Në pranga janë vënë shtetasit K.T., 23 vjeç, dhe B.M., 22 vjeç, banues në Mamurras, Laç.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur më 20 mars 2026, në lagjen nr. 5 të Pogradecit, ku të rinjtë, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë tentuar të hapin me forcë qepenin e një argjendarie dhe kanë thyer xhamin e derës hyrëse. Megjithatë, ata nuk kanë mundur të marrin sende me vlerë nga brenda ambientit.
Në kuadër të këtij rasti, Policia ka proceduar penalisht edhe një 29-vjeçar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndërsa detaje të tjera nuk bëhen publike për shkak të hetimeve në vijim.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.














