Në një analizë në podcastin e Ilir Kalemajt “Përshtjellim”, politologu Ermal Hasimja ka shpjeguar pse opozita shqiptare nuk arrin të fitojë zgjedhjet dhe cilat janë sfidat kryesore të së djathtës.
Hasimja u shpreh se mungesa e shpresës është problemi më i madh i opozitës. “Shpresa po braktis Shqipërinë,” tha ai, duke nënvizuar se pa një projekt politik që frymëzon, opozita nuk mund të mobilizojë votuesit e saj dhe as të tërheqë abstenuesit.
Sipas Hasimjes, për të fituar e djathta në Shqipëri duhet të ndodhë “diçka shumë e madhe”.
“Që të fitojë e djathta në Shqipëri dhe opozita në rastin konkret duhet të ndodhë dicka shumë e madhe, duhet që të dekurajohet votuesi I majtë prat ë dalë më pak në zgjedhje. Do të duhet që opozita të marri të gjithë votat e saj dhe përvec kësaj të marri shumicën dërrmuse e votuesve abstenues dhe të pavaruar, pra të prodhojë shpresë.” tha ai.
Ai shpjegoi se Partia Socialiste është një strukturë monolite, trashëgimi e Partisë së Punës, e mbajtur bashkë nga pushteti.
Ndërkohë, e djathta është plurale, e bazuar te liria e individit, por edhe e fragmentuar për shkak se nuk është në pushtet.
Hasimja solli shembullin e përçarjes mes Sali Berishës dhe Adriatik Lapajt, të cilët ndahen në çështjet organizative të protestës.
Kjo tregon se mungesa e unitetit e dobëson opozitën edhe në aksionin politik.














