Në qytetin e Kavajës, 9 fëmijët e një të moshuare 89-vjeçare, të gjithë emigrantë, kishin punësuar prej më shumë se dy vitesh një grua për t’u kujdesur për nënën e tyre. Nusja e familjes, Rudina Jonuzi, ka denoncuar rastin në emisionin “Stop” në Tv Klan duke pretenduar se punonjësja e ka keqtrajtuar të moshuarën duke e lënë pa ushqim dhe pa ujë, si dhe duke i folur në mënyrë fyese.
Sipas saj, frigoriferi i së moshuarës ishte shpesh bosh, ndërsa ushqimet e dërguara nga vajzat e saj merreshin nga punonjësja. Ajo shton se punonjësja kishte autorizim noterial për të marrë pensionin dhe paguhej fillimisht 350 euro, ndërsa muajin e fundit pagesa ishte rritur për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të të moshuarës.
Familjarët pretendojnë se gjatë natës punonjësja kishte fjetur ndërkohë që e moshuara ishte rrëzuar, por punonjësja nuk e tregoi të vërtetën mbi çfarë kishte ndodhur. Pas disa ditësh, e moshuara ndërroi jetë në prani të fëmijëve të saj.
Denoncuesja: Jam Rudina Jonuzi nga qyteti i Kavajës. Patëm marrë një zonjë, për t’i shërbyer vjehrrës sime, për t’i bërë të gjitha nevojat, që ajo kishte. E ka lënë pa buke, e ka lënë…edhe ujë nuk i ka dhënë. Ia kthente përgjigjen një më një vjehrrës sime, një plake, që ishte 89 vjece.
Gazetarja: Për sa kohë zonja i ka shërbyer vjehrrës suaj dhe sa ka qenë pagesa që ajo merrte?
Denoncuesja: Zonja ka punuar më shumë se dy vite. Ajo ka vënë dorë edhe në vjedhjet e ushqimeve të vjehrrës sime, që vajzat e saj i binin për të ngrënë, ajo i merrte. Gjithmonë frigoriferi te vjehrra ime rrinte bosh. I patëm bërë një deklaratë te noteri që të shkonte punëtorja bashkë me vjehrrën të merrte pensionin. Pagesa më përpara ka qenë 350 euro. Tani, muajin e fundit që vjehrra ime ishte shumë keq domethënë, rrogën ia kemi bërë, i shkoi 750 euro sepse rrinte edhe natën. I themi punëtores: “shko në shtëpi, rri pushim ti,” i thamë se neve do rrimë te plaka këtu. Do rrinim vetë. Ajo na thotë “jo, jo, se do rri unë”. Gjatë natës e kishte zënë gjumi duke e ditur që plaka ishte shumë e sëmurë. E kishte zënë gjumi dhe plaka rrëzohej dhe neve na thotë që i ka rënë trombozë te syri. Ajo nuk na e tregoi të vërtetën. Ajo ka qenë dita e fundit që ajo erdhi në punë dhe iku dhe e kemi bërë me radhë për tre-katër ditë, pastaj plaka mbaroi. Vdiq plaka, në duart e fëmijëve të saj.
Fëmijët kanë vënë në dispozicion edhe pamje filmike nga kamerat e vendosura në banesë, ku dëgjohen fjalë fyese dhe refuzim për t’i dhënë ujë të moshuarës.
E moshuara: O Hajrie!
Punonjësja: Mëso të flasësh njëherë, pastaj…!
E moshuara: O Hajrie!
Punonjësja: Të q**shin qentë! Të q**shin qentë ty, jo mua!
E moshuara: O Hajrie!
Punonjësja: Hiq panolinat njëherë! Çohu hiq panolinat se je bërë… që këtu në brez!
E moshuara: O Hajrie, të keqen! O Hajrie! Do më sjellësh dhe njëherë ujë?
Punonjësja: Nuk të jap ujë, jo. Nuk të jap më ujë. Nuk të jap se të vjen për të vjellë. Na çmende. Qysh të të jap ujë unë, kur ti më thua “dreq”, “Të marrtë dreqi shpatullat”?!
E moshuara: Unë të të shaj ty?
Punonjësja: Tani më shave, tani që u ngrite, “të marrtë dreqi shpatullat e tua”.
E moshuara: Nuk të shaj kurrë ty unë.
Punonjësja: Gjithë natën më ke sharë. Gjithë natën nuk ke lënë llaf pa thënë.
E moshuara: Mome!
Punonjësja: Ku e ke momën?
E moshuara: Të marrtë dreqi shpirtin!
Punonjësja: Më bërtet mua “mome”. Ua, sa më trembi! Ku e ka momën kjo?!
E moshuara: E shkreta unë! E mjera unë…
Nga ana tjetër, punonjësja mohon akuzat për keqtrajtim dhe vjedhje. Ajo deklaron se është kujdesur për të moshuarën si për nënën e saj dhe se sjellja e saj ka ardhur si reagim ndaj fyerjeve të vazhdueshme duke theksuar se e moshuara vuante nga demenca dhe skleroza. Pamjet filmike hedhin dyshime serioze mbi mënyrën e trajtimit të së moshuarës së ndjerë.
Punonjësja: Dy herë ia kam marrë pensionin vetëm, s’kam marrë më shumë pension. 80 mijë pelenat, letra duarsh, letra banje, ushqimi ishte komplet aty. Ça do u merrja unë atyre? Si përfundim, plaka ka rënë para dy javësh, e kam gjetur… Shkoja në mëngjes, e gjeja plakën të shtrirë. Në qoftë se unë s’ia kam bërë hyzmetin plakës si nënën time që e kam mbajtur peshë…
Gazetarja: Ata dalin me pretendimin që edhe mënyra se si ju i flisnit apo që edhe nuk i jepnit ujë…
Punonjësja: Ua, një minutë! Puna e ujit, unë një herë i kam thënë. Plaka u rrëzua. Plaka ka qenë me sklerozë dhe me demencë. Ishte përbindësh, të binte, të kafshonte. Shiko si i kam gishtat unë, këto, këtej! Ishte shumë acaruese. Në darkë, të shohë veprimin, çfarë kam bërë, i kam dhënë ujë 20 herë. Asaj s’i pushonte goja gjithë ditën. Një herë i kam dhënë, ma hodhi se e nxirrte nga goja, se u rrëzua dy javë më parë, jo nga ana ime.
Gazetarja: Kam parë një video, ku ju i thoni: “Si të të jap unë ujë ty, kur ti më thua kështu e kështu”.
Punonjësja: “Vdeksh”, “Hyfsh në arkivol”, kështu më ka thënë. Unë i bëj hyzmet, ajo thotë “hyfsh në arkivol”. Si të të jap unë ujë ty, kur po të bëj hyzmetin?! Më thuaj një herë faleminderit! Ka rrëshkitur. Nuk e kam parë, si ka rënë plaka, se më ka kapur gjumi. Të rrish dy javë në atë gjëndje, unë kam ndenjur dy javë kështu. Kam rënë dhe vetë një natë. Dy javë të mbash atë njeri, nuk vinte asnjëra. As të bijat, as çunat. Edhe çunat kanë ardhur atë ditë që dy orë e kanë varrosur dhe kanë ikur.
Gazetarja: Sa ju paguanin juve ata?
Punonjësja: 350!
Gazetarja: Po muajin e fundit?
Punonjësja: Vetëm 200 më ka dhënë.
Gazetarja: Muajin e fundit, sa ju ka dhënë?
Punonjësja: 200, 400 gjithsej.
Gazetarja: Jo 700?
Punonjësja: 700?! Ua!
Gazetarja: Ato thonë që frigoriferi ka qenë bosh se e kemi parë nga kamerat.
Punonjësja: Po bosh ka qenë frigoriferi se unë ia merrja gjërat dhe ia gatuaja në shtëpi. /Tv Klan/














