Mihal Mërkuri, i dënuar me burg për tentativë vrasje, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:35 dhe vdekja ka ardhur si pasojë e një arresti kardiak dhe hemorragjisë në kokë.
“Sot, rreth orës 04:35, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) ka ndërruar jetë i dënuari i sigurisë së lartë Mihal Pavllo Mërkuri, i shtruar në Reanimacionin Qendror, Pavijoni i Kirurgjisë. Vdekja ka ardhur si pasojë e arrestit kardiak dhe hemorragjisë në kokë”,- I ndjeri është shtruar në QSUT më datë 18.01.2026, rreth orës 20:21, dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të hemorragjisë së brendshme (hemoperitoneum)”,- thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë mbrëmjen e kaluar kjo qendër spitalore u përfshi në kolaps si pasojë e mungesës së energjisë elektrike. Sipas raportimeve, mungesa e dritave ka bërë që shumë pacientë të nxirren nga kujdesi intensiv.
Nuk dihet nëse Mërkuri ka qënë në kujdes intensiv dhe ka ndikuar mungesa e dritave në ngjarjen e rëndë, ndërkohë Policia thotë se rasti po hetohet.
Kush ishte Mihal Mërkuri?
Mihal Pavllo Mërkuri, i datëlindjes 25.01.1979, lindur dhe banues në Sarandë, ishte i dënuar me 10 vjet burg për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Ai është ekstraduar nga Greqia më datë 20.06.2023 dhe është transferuar në IEVP Burrel më datë 15.02.2025, nga IEVP Korçë.
Ai është shtruar në QSUT më datë 18.01.2026, rreth orës 20:21, dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të hemorragjisë së brendshme (hemoperitoneum).
LEXO EDHE:
Skandal në QSUT, mungesa e dritave nxjerr pacientët nga kujdesi intensiv (Video)














