Edi Rama mblodhi Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile nga ku iu përgjigj akuzave të opozitës për situatën e përmbytjeve, duke thënë se hidrovorët kanë qenë në punë pa pushim.
Duke ironizuar akuzat e opozitës, tha tha se shiu nuk ndalet me shpifje dhe lumenjtë nuk ulen me protesta.
“E di që fjala durim mund t’i tingëllojë shumëkujt si një cingërimë e tepërt në vesh, por durimi është i domosdoshëm kur ajo që po përjetojmë nuk është thjesht mot i keq. Shiu nuk ndalet me shpifje, si ato se nuk punojnë hidrovoret; lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta, si ato kundër ndërtimeve në territore shumë vulnerabël. Retë nuk shpërndahen me slogane. Këto janë thënie që ushqejnë përçarje, jo ndihmë. Në një situatë si kjo nuk kërkohen fajtorë imagjinarë, por ndihmohen njerëzit realë. Njerëzit nuk kanë nevojë për më shumë britma dhe teori konspirative. Kjo është një gjendje e rëndë, por nuk ka prekur vetëm Shqipërinë.” – tha Rama.
Rama tha se para nisjes së sezonit me reshje, drejtoritë e ujësjellësit dhe kullimit, kanë siguruar gatishmërinë e kanaleve kryesore, të kullimit, hidrovorët, kanalet ujërave të larta. Rama tha se prej vitesh kemi proces mirëmbajte të infrastrukturës së kullimit dhe vetëm vjet janë investuar 25 mln euro.
Por realiteti në fakt dëshmon tjetër gjë! Mesa duket, si çdo herë, paratë që duheshin investuar për infrastrukturën e kullimit duket të kenë përfunduar në xhepat e drejtorëve apo oligarkëve dhe këtë e vërteton kaosi me përmbytjet e shumta dhe të përsëritura në vend.
“Duhet të informoj se para fillimit të sezonit me reshje, drejtoritë e ujësjellësit dhe kullimit, kanë siguruar gatishmërinë e kanaleve kryesore, të kullimit, hidrovorët, kanalet ujërave të larta dhe të flotës prej 29 ekskavatorësh në drejtorinë qendrore. Është bërë inspektimi i argjinaturave të lumenjve edhe digave të rezervuarëve. Dalja e ujit nga rrjedha natyrale dhe përmbytja për pika vulnerabël është e pashmangshme në cilindo vend të planetit. Duhet të informojmë se prej vitesh kemi proces mirëmbajte të infrastrukturës së kullimit. Vetëm vitin e shkuar kemi investuar vetëm për këtë infrastrukturë kullimi afro 25 mln euro, vetëm këtë vit do investohen 11 mln euro nga bashkitë, apo 8% më shumë se vitin e shkuar”, tha Rama.














