Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Rama tha se me vendimin e saj, “Kushtetuesja eliminoi një precedent unik në botë”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi cilëson si një “precedent unik në botë”, faktin se Shqipëria ka aktualisht një zëvendëskryeministre dhe ministre të pandehur për abuzime në disa procedura publike tenderimi, ndaj së cilës është vendosur masë sigurimi personale me karakter shtrëngues, “ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Sipas Bardhit, një tjetër precedent i paprecedentë është vijimi i ushtrimit të detyrës nga një e pandehur, për të cilën prokuroria dhe gjykata kanë vlerësuar se ekziston rreziku i prishjes së provave apo intimidimit të dëshmitarëve.
Reagimi:
Precedent unik në botë është që sot Shqipëria ka Zëvendëskryeministër dhe ministër një të pandehur për abuzime në disa procedura publike tenderimi, me masë sigurimi personal me karakter shtrengues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Precedent unik në botë është vijimi i qetë i detyrës nga një e pandehur që sipas prokurorisë dhe gjykatës rrezikon të prishë provat apo intimidojë dëshmitarët.
Precedent unik në botë është që zyra e Kryeministrit shndërrohet në zyrë avokatie për një të pandehur që i ka shkaktuar shtetit deri më tani një dëm prej të paktën 50 milionë euro.
Precedent unik në botë është paracaktimi i tenderave nga një ministër në shtëpinë e tij dhe drejtimi i punëve të shtetit me sms urdhëruese ndaj vartësve.
Precedent unik në botë është që dy institucionet më të mëdha shtetërore ARRSH dhe KESH sot i kanë drejtuesit në “arrest shtëpie” dhe ata vazhdojnë të jenë në krye të këtyre institucioneve.
Precedent unik në botë është të kthesh korrupsionin në sistem dhe të sillesh si i papërgjegjshëm e të bësh sikur s’ka ndodhur asgjë.













