Nga Boldnews.al
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se do të angazhojë popullin në revolta anti-qeveritare, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në teori, kazusi politik është tipiku për të ngritur qytetarët në protesta kundër korrupsionit. Një lëvizje e tillë shkarkoi qeverinë pak ditë më parë në Bullgari. Në Serbi, presidenti Aleksandër Vuçiç është detyruar të riformatojë disa herë qeverinë, pas protestave të studentëve dhe qytetarëve (megjithëse ai vijon të mbajë pushtetin).
Pra, edhe korrupsioni i pretenduar i Ballukut është një rast shumë i mirë për të ngjallur revolta popullore.
Por, a është në gjendje Berisha dhe Partia Demokratike të nxisin reagim të ashpër publik? A janë ata realisht “opozitarë” të Edi Ramës? A do të arrijnë të bindin elektoratin demokrat të ngrihet në protestë, kur qytetarët shohin dhe percepetojnë se kasta drejtuese e Partisë Demokratike është “në pushtet” me Edi Ramën?
Opozitarët e thjeshtë kanë parë se si Partia e tyre nuk ka treguar as cipë, as shtyllë kurrizore, kur, për interesa okulte, ka bashkuar votat me Partinë Socialiste në Parlament, për çështje thelbësore, dhe, për më tepër, në të kundërt të asaj që ka deklaruar publikisht.
Në morinë e devijimeve të Partisë Demokratike, të paktën 3 prej tyre “shkëlqejnë”; Amnistia Penale; Paqja Fiskale; dhe Avokati i Popullit.
Amnistia Penale
Në maj të vitit 2024, Parlamenti miratoi “Amnistinë Penale”. Qeveria e Edi Ramës e kishte shumë të nevojshme këtë akt, pasi drejtorë dhe një mori zyrtarësh të administratës së saj kishin rënë në rrjetën e drejtësisë, për shkak të makutërisë së tyre të pashoqë për t’u futur me lopatë në fondet publike.
Opozita e ngriti zërin shumë fort, duke denoncuar publikisht atë që e konsideronte si plan të Edi Ramës për të shpëtuar të korruptuarit e tij.
Por, përtej zërit të lartë, “qëllimi” i Edi Ramës, në fakt u arrit me duart e opozitës. Një pakt “okult” ndërmjet kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, Ulsi Manja, i hapi rrugë amnistimit të zyrtarëve të lartë.
Gjithçka u arriti me një “ndërhyrje të vogël”, me një amendament të Gazment Bardhit. Kreu i grupit parlamentar demokrat e mohoi që amendamenti i tij u kishte dhënë mundësi përfitimi zyrtarëve të lartë.
Por, ajo deklaratë publike u përgënjeshtrua, po në Parlament, nga kreu i Prokurorisë së Posaçme. Në një seancë në 15 korrik 2024, Altin Dumani deklaroi: “Nga ligji për amnistinë penale kanë përfituar edhe subjektet të SPAK”.
Paqja fiskale
Në 10 Dhjetor 2025, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi me forcë se opozita “nuk do të mbështesë kurrësesi projektin e Edi Ramës për Paqen Fiskale”, pasi ajo “fsheh kanalet e zeza të larjes së miliarda eurove nga klanet dhe kartelet e drogës. Ne jemi kategorikisht kundra”.
Fjalë të forta dhe të rënda, të cilat linin të kuptohej se Partia Demokratike e refuzonte tërësisht “Paqen Fiskale”, një paketë masash ligjore qeveritare që synonte të falte gjobat për bizneset, kryesisht atyre të mëdha, të lidhura ngushtësisht me pushtetin e Edi Ramës.
Por, përkundër qëndrimit kategorikisht kundër, që u prezantua publikisht nga Berisha, përfaqësuesit e tij në Parlament patën një qasje ndryshe.
Sërish kryetari i Grupit Parlamentar, Gazmend Bardhi, propozon një amendament në projekt-ligjin për “Paqen Fiskale”. Ky akt politik dhe formal, përtej përmbajtjes së amendamentit, dëshmoi se Partia Demoratike, nëpërmjet figurës më të rëndësishme parlamentare “e njohu Paqen Fiskale” dhe jepte edhe sugjerime.
Edi Rama, natyrisht, as nuk e përfilli propozimin e Gaz Bardhit. Maxhoranca e tij miratoi atë që kishin nisur që herët, ndërkohë opozitës i mbeti sërish gishti në gojë, por, edhe kësaj radhe, duke i lënë një damkë shumë të madhe.
Avokat Shabani
Ajo që ndodhi me procesin për emërimin e Avokatit të Popullit ishte shenja më domethënëse e shthurjes së një partie që pretendon të luajë rolin e opozitës në Shqipëri.
Jo pak, por 35 deputetë demokratë, japin ‘autografe” mbështetëse për kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat Populli. Shabani, ish-drejtues i Nismës Thurrje, nuk i ka kursyer asnjëherë kritikat dhe sulmet politike ndaj Partisë Demokratike dhe personalisht kryetarit të saj, Sali Berisha.
Megjithatë, deputetët demokratë i dhanë firmat mbështetëse. Kur kjo histori mori erë në publik, Berisha deklaroi se “Edi Rama po rrëmbente Avokatin e Popullit” dhe se “ne nuk mbështesim Endri Shabanin”.
Këto deklarata, të lëshuara në eter, natyrisht, nuk bindnin askënd. I bindur që shprehjet e tij fillestare nuk kishin efektin e duhur, Berisha e ndryshoi dalëngadalë narrativën, duke dhënë argumenta, të cilët sërish nuk qëndrojnë në logjikën politike.
“Ne i dhamë firmat Shabanit vetëm për t’u dëgjuar në Komisionin e Ligjeve, por Taulanti (Balla) prishi rregullat e lojës”, tha Berisha në një deklaratë tjetër.
Më pas, justifikimet vijojnë: “Ne i dhamë firmat Endri Shabanit, pasi, në atë kohë, ai mbështeti kandidatin tonë të pavarur, Florian Binaj, për Bashkinë e Tiranës”.
Edhe ky argument nuk qëndron aspak, pasi, në momentin që 35 deputetë i dhanë firmat Shabanit, zgjedhjet e pjesshme lokale në Tiranë ishin anuluar.
Në fund, Berisha deklaroi nga Elbasani se “…gabim ishte, e pranoj dhe ju jeni të shqetësuar. Gabim ishte ajo me firmat e Endri Shabanit, avokatit të Edi Ramës, dhe unë ju kërkoj ndjesë…”.
“Gabim” Amnistia Penale, “gabim” Paqja Fiskale”, “gabim” Avokati i Popullit…Duken shumë “gabime” për të qenë gabime.
Partia Demokratike ka në dorë “gurin dhe arrën” për të ndërtuar narrativën e vetë “opozitare” në Parlament. Por, kur ajo shkon në të kundërt të interesave të demokratëve të thjeshtë, kur këta të fundit ndihen të mashtruar dhe pa shpresë për t’u rikthyer në pushtet, thirrjet e Kupolës së PD-së për revolat për korrupsionin e Ballukut, mbeten thjeshtë “fjalë në erë”.
Rruga më e shpejtë që “populli opozitar” të japë përgjigjen e tij janë zgjedhjet lokale të vitit 2027. Dhe, “nuk do të jetë faji i Edi Ramës”.














