26-vjeçari i plagosur pak ditë më parë pranë rrethrrotullimit të Freskut ndodhet në gjendje kritike për jetën, pasi u godit disa herë në kokë me çekiç.
Autor i sulmit është Helidon Marku, i cili është arrestuar nga policia, ndërsa dy persona të tjerë, Gjokë Ndrevataj (36 vjeç) dhe Xhemal Uka (30 vjeç), janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se e kanë porositur sulmin.
Hetimet tregojnë se shkaku i konfliktit lidhet me komente fyese që viktima kishte bërë gjatë transmetimeve “live” në rrjetin social TikTok, ku të përfshirët kishin pasur përplasje verbale.
Mësohet se Marku e ka goditur të riun disa herë me çekiç në kokë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda që e kanë vënë në rrezik jete.
Të tre personat e përfshirë kanë precedentë penalë për krime kundër personit.













