Armë, plumba dhe karikatorë u gjetën në shtëpinë e shqiptarit Dhimitër Meçi i njohur ndryshe si “Dhimos”, njëri prej të akuzuarve për pjesëmarrje në organizatën e vrasësve me pagesë që dyshohet se u përpoqën të vrisnin mafiozin grek, Giannis Lalas në maj të këtij viti.
Armët u gjetën në shtëpinë e tij në një fshat në Shqipëri, shkruajnë mediat greke.
Dhimos ka një precedent të gjatë penal pasi ishte akuzuar në të kaluarën për vrasje dhe atentate. Ai është një nga kriminelët më mizorë dhe të rrezikshëm dhe një hallkë shumë e rëndësishme në të ashtuquajturën Mafia Greke.
Sipas dosjes së çështjes së Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar, në përpjekjen që ishte bërë kundër Lalës , “Dhimos” dyshohet se qëlloi dhjetëra herë nga një motoçikletë drejt Mercedesit të zi në të cilin ndodhej viktima, e cila më pas u shpëtua nga blindimi i automjetit.
Përveç “Dhimos”, oficerët grekë të FBI-së arrestuan tre shqiptarë dhe dy grekë disa ditë më parë për këtë çështje.
Siç doli nga hetimi, të pandehurit, në kuadër të zbatimit të planit të tyre për të ekzekutuar Lalën, përdorën një Yaris të bardhë i cili u gjet nga hetuesit e Policisë Helenike.
Në të njëjtën kohë, katër nga të përfshirët janë gjithashtu përgjegjës për sulmin me zjarrvënie në një pikë karburanti që ndodhi më 23 shkurt 2025 në Argyroupoli.
Në atë kohë, autorët e krimit i ishin afruar pikës së karburantit me dy motoçikleta, njëri prej të cilëve mbante një kallashnikov. Ata e derdhën lëngun e ndezshëm që kishin në një bidon dhe ikën me vrap.














