Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën më 9 dhjetor lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të prokurorit të Beratit, Dritan Gripshi. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtare Albana Shtylla, Mimoza Tasi, e Natasha Mulaj, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Gripshit ndaj vendimmarrjes së Komisionit. Vendimi i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Prokurori i Beratit, Dritan Gripshi u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më datë 27 mars të vitit 2024, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë. Ndërkohë, ai arriti nivel të besueshëm për pastërtinë e figurës dhe u vlerësua i aftë profesionalisht.
Dritan Gripshi e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe punoi si prokuror në Elbasan dhe në Durrës, përpara se të emërohej në Prokurorinë e Beratit në vitin 2008. Gripshi u shkarkua nga detyra në vitin 2010 me dekret të Presidentit të kohës me motivacionin e “sjelljeve që diskreditojnë figurën e prokurorit”, por ai fitoi më pas një proces gjyqësor kundër vendimit të shkarkimit dhe u rikthye në detyrë në vitin 2015. Me vendimin e KPA, ai u largua përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.














