Nga Boldnews.al
Gati në mënyrë ironike edhe koha po tallet me dy ish-ët që ëndërronin karrigen e Ramës. Ditën kur Belinda Balluku u thirr në SPAK për t’iu komunikuar akuza e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera, bashkë me masën “ndalim për daljen jashtë vendit”, armiku politik i saj, Erion Veliaj u duk se fitoi betejën e parë gjyqësore. Veliaj buzëqeshi përkohësisht kur Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues vendimin e Rmës për shkarkimin e tij dhe gjithashtu rrëzoi edhe dekretin e presidentit për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë, ndërsa Balluku doli kokëulur nga Prokuroria Speciale, duke pritur tashmë jo vendimin e drejtësisë së reformuar, por mendimin e “Kadi-kryeministrit”.
Ironikisht, po sot, teksa Veliaj humbi një kërkesë për tu pajisur me “teknologji në burg” me qëllim njohjen me aktet e dosjes gjyqësore ndaj tij, Belinda Balluku po në të njëjtën ditë e orë mban vesh nga Kolegji Penal i Gjykatës Kushtetuese nëse do e kalojnë ose jo për shqyrtim ankimimin që ka bërë me pretendimin se vendimimi i GJKKO-së për “pezullim nga detyra” është antikushtetues dhe ndërhyrje në ndarjen e pushteteve.
Kjo është pjesa juridike që duhet të ishte shumë e rëndësishme në një shtet ligjor, por dy ish-ëndërrimtarët e karrigës së Ramës, janë aq të mpirë sa nuk po u funksionon shqisa e trurit për të mendur pak më thellë. Gjithçka është në duart e kryeministrit Rama, i cili duhet të ishte në sikletin më të madh politik e juridik, por po e kalon me një lehtësi të dukshme, teksa debatin e përcjell në publik, duke bindur popullin se nuk është vetëm kryeministër, por edhe Kadi.
Rama së pari synon që nëpërmjet interpretimeve dhe ankesave se SPAK dhe GJKKO kanë marrë vendim antikushtetues, antidemokratik dhe jo profesional, po synon që të prekë shtresat poshtë, për tua tollovitur mendjen se po i bëhet një “padrejtësisë e madhe”, ose një “grusht shteti”, nga një grusht prokurororësh dhe gjyqtarësh. Nga ana tjetër, me këtë qëndrim, duke gjykuar dhe interpretuar vendimet e gjykatave, po i hedh valium politik ish-të besuerës së saj Belinda Balluku. Ajo është problem i tanishëm i Ramës, pasi Veliajn e ka vënë në gjumë letargjik prej kohësh, si “ariun në shpellë”.
Ish-kryebashkiaku i Tiranës i ka dhënë provat se besnik deri në vdekje do mbesë dhe idealet e Ramës kurrë nuk ka për t’i shkelur. Deri më tani Balluku është më e kthjellët duke i kërkuar Ramës atë që duhet ta kërkonte në sistemin e drejtësisë, pasi më mirë se kushdo tjetër e ka të qartë se “drejtësia e re” nuk është gjë tjetër përveçse një nga veglat e shumta që Rama ka në duar.
Kryeministri nuk i lë asgjë rastësisë dhe asesi nuk do gjendet në befasi nga qëndrimet që mund të ketë Balluku, jo në publik, por në ato korridore të errëta ku krimi, qeveria dhe një pjesë e ndërkombëtarëve përdorin treshe “parfumin hajni”.
Rama si “Kadi” ka dy variante në duart e tij, që sido që të vendosë Gjykata Kushtetuese, ose do të justifikohet me bindje, ose do të krenohet para Ballukut. Nëse Kushtetuesja vendos të “lexojë” variantin një të Ramës që pezullimi i Ballukut nga detyra është ligjor, atëherë kryeministri do të justifikohet se e bëri betejën e tij, madje edhe në publik, por para kësaj situate nuk ka më forcë, pasi është i detyruar të zbatojë vendimet e gjyqësorit. Nëse Kushtetuesja vendos se pezullimi nga detyra i Ballukut është antikushtetues, atëherë Rama jo vetëm do të krenohet para saj, por do e nënshtrojë edhe më shumë, duke mos ia falur atë kohë shtatë orëshe që e mbajti në zyrë, ditën kur u publikua vendimi për pezullimin.
Kryeministëri Kadi ka vetëm një mëdyshje sesi do të interpretohen vendimet e tij që ia lë ta lexojnë “spikerat e Gjykatës Kushtetuese” një pjesë të ndërkombëtarëve përtej Oqeanit Atlantik… Vetëm kjo pjesë e shqetëson, ndërsa për “punët e brendshme” ai ka gjithçka nën kontroll, përfshi edhe “drejtësinë e reformuar”. Çështja jo pak e vogël mbetet se Balluku nuk është si Veliaj. Teksa kryebashkiaku e ka ndarë mendjen të heshtë edhe nëse nga qelia del disa vite më i madh dhe me flokë të thinjura, Balluku ka dhënë shenja se do të lutfojë, jo me drejtësinë, prokurorë dhe gjyqtarë, por me “Kadiun” në majën e qeverisë.














