Një banor i zonës pranë ish-fabrikës së letrës në Kavajë ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë të rrugës, e cila sipas tij është lënë në harresë nga Bashkia Kavajë.
Në një mesazh dërguar JOQ, ai shprehet se autoritetet vendore, me kryetar Fisnik Qosen, nuk kanë ndërhyrë prej kohësh për të kryer riparimet e nevojshme.
Sipas denoncimit, rruga është dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme, duke e bërë kalimin të vështirë dhe të rrezikshëm, sidomos gjatë ditëve me reshje. Banorët janë detyruar të marrin vetë masa për ta rregulluar, pasi pritjet ndaj bashkisë kanë rezultuar të kota.
Ata thonë se situata është bërë e papërballueshme për dhjetëra familje të zonës.
Mesazhi i banorit
“Përshëndetje JOQ. Bashkia Kavajë dhe Fisnik Qose na kanë lënë në harresë. Rruga këtu te ish-fabrika e letrës është bërë copë. Jemi duke e rregulluar vetë sepse bashkia fle gjumë”, shkruan banori,
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë Kavajë të marrë masa sa më shpejt për rikonstruksionin e rrugës, pasi problemi po prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të komunitetit.














