Në ambientet e jashtme të QSUT ka kaotizëm, gropa, makina që bllokojnë hyrjen e ambulancës dhe aspak investime.
Por si ka qenë historia e parkimit?
Në mesin e vitit 2014, ministria e Zhvillimit Ekonomik nisi një aksion për nxjerrjen jashtë hapësirave të spitalit baret, restorantet, farmacitë dhe dyqanet që kishin rrethuar kudo spitalin.
Dhe me këtë aksion u vendos edhe një tra për të kufizuar numrin e automjeteve që hynin brenda qendrës spitalore, dhe sigurisht të vilte edhe të ardhura nga pacientët.
Tarifa për parkimin në ambientet e QSUT ishte 100 lekë për 24 orë, para të cilat duhet të shkonin për të përballuar mirëmbajtjen e territorit 10 mijë metra katrorë të oborrit të spitalit.
Tarifa vijoi të ishte 100 lekë në ditë deri në nëntor të vitit 2018 kur Fondi Shqiptar i Zhvillimit caktohet nga Këshilli i Ministrave si autoriteti që do të administronte hapësirën e parkimit në Qendrën Spitalore Nënë Tereza. Vendimi caktonte që të ardhurat e shfrytëzimit për parkim do të shkonin përmirësimin e infrastrukturës së jashtme të spitalit dhe menaxhimin me cilësi të vendeve të parkimit.
Por ajo që ndodhi pas marrjes në administrim të këtij territori nga FSHZH, ishte rritja e tarifës nga 100 lekë për 24 orë, në 100 për 2 orë dhe për çdo orë më shumë përtej kësaj fashe pagesa u bë 100 lekë ora.
Nga çmimet e reja të ardhurat vjetore që gjeneronte parkimi në QSUT kapte një vlerë mesatare prej 1 milion euro ndër vite, ndërsa për vitin 2024 kanë arritur në plot 2.1 milion euro!
Por këto para nuk shkuan për të rregulluar infrastrukturën e spitalit sepse siç e tregojnë dhe pamjet, vendet parkimit dhe rrugët e QSUT vetëm kanë degraduar.
Autoritetet u kujtuan vetëm disa muaj më parë për të investuar në ndërtimin e një parkingu në qendrën më të madhe spitalore në vend, pas plot 3 dekadash!
Dhe a e dini se do të kushtojë ky investim?
Plot 14.2 milion euro! Pra një parkim me kate mbitokësore dhe jo nëntokësore dhe me 1400 vende do të kushtojë 14 milion euro, ose 10 mijë euro për 1 vend parkimi!
Nëse do të merrnim koston e ndërtimit të pallateve dhe jo atë të parkimeve që harton Enti Kombëtar i Banesave dhe Instituti i Statistikave që është 390 euro për metër katror dhe duke llogaritur përmasat e një vendi parkimi 20 metra katror, do të rezultonte që kosto për një vend nuk shkon më shumë se 8 mijë euro!
Madje në objektet rezidenciale në Kashar, zonën e Freskut dhe Astir, çmimi i një parkimi në shitje varion nga 8 mijë euro deri në 12 mijë euro.
Dhe këtu duhet të llogaritim që kosto për parkimet nëntokësore është më e lartë, ndërtuesi ka brenda çmimit dhe vlerën e tokës që ka blerë dhe plus fitimin!
Por në fakt për këtë çmim kaq të ulët që taksapaguesit po paguajnë duhet që të falënderojnë kompaninë fituese të tenderit, Salillarin
E cila dha një ofertë 5.8 milion euro më të ulët se fondi limit. Llogaria që kishte bërë Fondi Shqiptar i Zhvillimit ishte për të kontraktuar punime të ndërtimit të parkimit me vlerë20 milion euro me ose 14 mijë euro për një vend parkimi!
Dhe nuk e dimë nëse ndonjë agjenci mbikëqyrëse ka ngritur ndonjëherë shqetësimin për vlerat e larta që Fondi Shqiptar i Zhvillimit harton fondi limit, se që aty nisin shkeljet… Por kjo është një tjetër histori…
Të gjithë mund të mendojmë se duke qenë se fondet janë të siguruara nga pagesat ndër vite të parkimit në QSUT, që ashtu siç përcaktonte dhe vendimi i Këshillit të Ministrave, 45% e të ardhurave do të shkonin për të investuar në infrastrukturën e parkimit në këtë spital, parkimi më në fund po ndërtohet!
Por nuk është kështu! Parkimet e reja, me të cilat në prag të zgjedhjeve të vitit 2025 u mburr dhe vetë kryeministri Edi Rama, po financohen me para të buxhetit të shtetit!
Po, po! Me fonde nga buxheti i shtetit i cili ka alokuar 2.8 milion euro në vitin 2024, 4.2 milion euro për vitin 2025 dhe programon për vitin e ardhshëm 2.5 milion euro për ambientet e reja të parkimit.
Nëse nga viti 2018 dhe deri në fund të 2024-s janë arkëtuar 8.8 milion euro në vit nga parkimi në QSUT, a duhet që të përdorej kjo shumë për parkimin?
Përse duhet që taksapaguesit të paguajnë dy herë? Dhe kur parkojnë makinën dhe përmes taksave që derdhin në buxhet?
Po ajo që ka më shumë rëndësi është se përse shpërdorohen paratë publike, kur 14 milion euro nuk janë pak, por është një shumë e cila mund të shkojë për të sëmurët dhe për të financuar mungesën e ilaçeve?!
E njëjtë me vlerën që tha kryeministri që të kthejë në shërbim dinjitoz pavionin e onkologjikut e të sëmurëve me tumor.
Po ku kanë shkuar paratë e parkimit? Çfarë ka ndodhur me to dhe ku i ka çuar Fondi Shqiptar i Zhvillimit?
Siç e treguam pak më herët Këshilli i Ministrave ngarkoi për menaxhimin dhe mbledhjen e tarifave Fondin Shqiptar të Zhvillimit i cili ngarkon për të menaxhuar parkimin një tjetër agjenci e cila ngrihet dhe funksionon enkas për menaxhimin e parkimit: Agjencia e Mbështetjes Ekonomike!
Pra për ta kuptuar qartë, një tjetër godinë që do paguhet me paratë tona, të tjerë punonjës, të tjerë drejtues dhe sigurisht dhe një bord që paguhet për të marrë vendime me kryetar vetë drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agollin!
Agjencia e Mbështetjes Ekonomike në vitin 2018 lidhi një marrëveshje me Qendrën Spitalore Nënë Tereza ku ra dakord që 42% e të ardhurave të parkimit të shkojnë për investimet në infrastrukturën e brendshme të spitalit, vend parkimet, trotuaret, ambientet e gjelbra, ndriçimi rrugor duke përfshirë dhe investime madhore, dhe 3% për të edukimin e stafit të QSUT, por këto para kanë shkuar për të paguar pagat e punonjësve të Agjencisë së Mbështetjes Ekonomike me plot 1 milion euro në vit dhe 101 punonjës.
Sigurisht dhe tenderave që zhvillohen për moblim, karburant dhe shumë shumë nevoja të tjera…
Paratë e parkimit të QSUT që do të duhet të shkonin për të investuar në parkim dhe ato do të duhet të menaxhohenshin nga Fondi i Zhvillimit dhe jo nga agjencitë që krijohen për të mbajtur me paga patronazhistët apo për të dhënë shpërblime për drejtuesit e Fondit.
Së fundi anëtarët e bordit kanë vendosur që kjo agjenci jo vetëm të ketë 100 punonjës, por dhe 3 drejtorë të përgjithshëm!
Po po, është siç e dëgjuat, Agjencia e Mbështetjes Ekonomike ka 3 drejtorë të përgjithshëm… mbase sepse të gjithë duan që të jenë drejtorë…
Në datën 9 shtator 2025 me vendim të asamblesë së përgjithshme është emëruar administrator Alfred Dalipi për shërbimet në fushën e mikpritjes dhe bujqësisë, Klodjan Bregu për parkimet dhe transportin dhe Gentian Picari për administratën dhe çështjet e brendshme.
Në 7 vite të funksionimit Agjencia e Mbështetjes Ekonomike ka arkëtuar rreth 10 milion euro nga shërbimet që ofron, ku pjesa më e madhe është parkimi në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza dhe ka dalë me fitime minimale madje në disa vite me humbje…
Kjo ka bërë që për investimin në parkim ne si qytetarë të paguajmë dy herë: njëherë nga taksat dhe njëherë nga tarifa e parkimit./Prianjat













