Gjykata e Lartë e ka shpallur të pafajshëm ish-ministrin e Arismit Myqerem Tafaj. Trupi gjykues i kryesuar nga Artan Broci ka hedhur kështu poshtë kërkesën e prokurorisë, që kishte kërkuar 1 vit burg për ish-anëtarin e kabinetit Berisha.
Avokatja e ish-ministrit e konsideroi vendimin e Gjykatës së Lartë si të drejtë
Më herët, prokurori Madrid Kullolli në akt-akuzën ishte shprehur se, ish-ministri kishte injoruar vendimin e Këshillit të Akreditimit për moshapjen e 8 programeve në universitetin privat “Vitrina”, duke shkaktuar dëm në vlerën 1 milionë Euro.
Në kohën kur ky këshill i ka konsideruar negative kriteret e depozituara për të miratuar programet për vitin akademik 2010-2011, ministri ka urdhëruar hapjen e tyre. Prokuroria konsideroi shkelje edhe faktin se, ndërkohë në këtë universitet, regjistrimet për këto degë ishin kryer një vit më parë, pra në 2009-n.
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë, nga shpërdorimi i detyrës së ish-ministrit Tafaj, 1869 diploma të lëshuar nga universiteti privat janë të pavlefshme. Përmes veprimeve të të pandehurit, universitetit privat iu dha mundësia të ofronte programe studimi me pasoja të rënda financiare për individët dhe për shtetin.
Por ndërsa e cilësoi si një veprim të paligjshëm të kryer nga ish-ministri, që i ka sjellë përfitime subjektit privat, nga ana tjetër, organi i akuzës është shprehur se Tafaj e ka kryer këtë veprim nën kushtet e një presioni të fortë.
Për këtë shpjegim, prokuroria nuk solli asnjë provë në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, vetë prokuroria kishte deklaruar se kolegji duhet të mbajë parasysh si rrethanë lehtësuese, faktin që ish-ministri është akademik dhe, nga ana tjetër, abuzimin me funksionin si rrethanë rënduese.
Më herët gjatë seancave të kaluar gjyqësore, ish-ministri dhe deputeti i PD kishte kërkuar rrëzimin e akuzës me pretendimin se ishte ngritur mbi bazën e një ligji të shfuqizuar.