Glauk Konjufca, mandatar i dytë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për kryeministër.
Pas këtij dështimi, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Pro Konjufcës votuan 56, kundër votuan 53 dhe katër deputetë abstenuan.
Kosova është me Qeveri në detyrë, në mungesë të një ekzekutivi të ri, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Konjufca në prezantimin e tij kërkoi votë për të shmangur një palë zgjedhje të reja, teksa ka thënë se me urgjencë do të trajtonte buxhetin e shtetit. Ai doli para deputetëve për votim pa siguruar marrëveshje politike me ndonjë subjekt tjetër.
Në kabinetin e propozuar nga Konjufca pati fare pak dallim në emra nga ai paraprak i propozuar prej Albin Kurtit. Dallimi ishte te ministri i Infrastrukturës. “U shkarkua” Dimal Basha e “u ngarkua” Besnik Bislimi.
Konjufca ishte mandatari i dytë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Paraprakisht, më 26 tetor Albin Kurti dështoi në votimin e parë. Pas tij presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor e mandatoi Konjufcën.
Me rastin e dështimit të Konjufcës, tani presidentja është e obliguar t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes.
Para seancës për votimin e Konjufcës, Kuvendi hapi seancën për formimin e komisioneve, por nuk pati kuorum për vendimmarrje, për shkak të mungesës së partive që deri tash ishin në opozitë, që kanë kundërshtuar iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën më 9 shkurt. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95, LDK-ja me 18.27 dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave.














