Fusha e mbetjeve pranë inceneratorit të fikur u përfshi nga flakët për të disatën herë mesditën e 1 Korrikut të 2025.
Mijëra banorë të zonës jetuan për më shumë se një javë nën panik, ndërsa flakët përparonin me shpejtësi.
Pavarësisht ndërhyrjes, institucionet nuk kishin asnjë plan të qartë për mbrojtjen e qytetarëve. As Inspektoriati i Mjedisit, as Drejtoria Rajonale, dhe as Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk publikuan raport mbi ndotjen. Vetëm një javë pas zjarrit, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se matjet treguan nivel të lartë dioksidi karboni vetëm brenda landfillit dhe jo në zonat e banuara.
Por matjet e pavarura të organizatës COPLAN treguan se nivelet e NO₂, CO₂, metanit, komponimeve organike të paqëndrueshme (VOCs) dhe grimcave PM2.5/PM10 ishin shumëfish mbi normat e BE-së, duke rrezikuar sidomos personat me sëmundje kronike respiratore.
Vetëm pak javë para zjarrit, më 26 maj 2025, Këshilli Bashkiak i Elbasanit rriti tarifën për depozitimin e mbetjeve nga 2,500 lekë në 2,600 lekë/ton. Kryebashkiaku Gledian Llatja argumentoi se rritja lidhej me kostot e landfillimit, por jo me inceneratorin, i cili “është në remont dhe nuk funksionon.”
Ekspertët paralajmërojnë se këto vendime financiare nuk kanë ndikim në sigurinë e qytetarëve. Përveç ndotjes së ajrit, flakët kërcënojnë edhe tokën, ujërat nëntokësorë dhe zinxhirin ushqimor.
Padi për shëndetin dhe ajrin

Një ditë e zakonshme korriku u shndërrua në makth për 63-vjeçaren Fatmira Sejrani. E diagnostikuar me astmë bronkiale në formën e rëndë, për të cilën merr edhe pension invaliditeti nga Bashkia e Elbasanit, Fatmira përjetoi vështirësi të jashtëzakonshme për të marrë frymë kur fusha e mbetjeve pranë inceneratorit të qytetit u përfshi nga flakët dhe një re e dendur tymi toksik mbuloi lagjen ku ajo jeton.
“Ato ditë kur u dogjën mbetjet urbane në Bashkinë e Elbasanit, unë u bëra shumë keq. E përdorja pompën 6 herë në ditë, sepse nuk mbushesha me frymë. Por nga përdorimi i shpeshtë i pompës më ngrihej tensioni deri në 20” – rrëfen 63-vjeçarja.
Fatmira iu drejtua Gjykatës së Elbasanit, ku në aktpadinë e saj për rëndimin e gjendjes shëndetësore shihte si shkaktar Bashkinë e Elbasanit, që nuk kishte marrë asnjë masë për sigurimin e mbetjeve, por edhe kompaninë që menaxhon landfillin dhe inceneratorin, “Eco-Elb”.
Katër muaj nga depozitimi i padisë, gjykata e Elbasanit shpalli moskompetencë dhe e referoi çështjen pranë gjykatës së shkallës së parë administrative në Tiranë.
Avokati Gentian Sejrani pohon se kjo është padia e parë civile në rang vendi, kur një qytetar kërkon të drejtën nga pasojat e dëmeve mjedisore.
“Deri më sot nuk ka pasur një padi për të vendosur para përgjegjësisë institucionet që ndotin ambientin dhe, në rastin konkret, kompaninë Eco-Elb apo edhe Bashkinë e Elbasanit. Bashkë me Fatmirën iu drejtua gjykatës me qëllimin që të krijohet edhe një precedent,” – pohon avokati Sejrani.
Fatmira nuk është e vetme banore e zonës që përballet me sëmundje respiratore si pasojë e niveleve të larta të ndotjes të shkaktuara nga zjarret e shpeshta në landfillin e Elbasanit.

Rruzhdie Fraholli, thotë se toka dhe ajri janë helmuar dhe jetesa është bërë e pamundur:
“Kam ardhur nga fshatrat e Korçës në Elbasan për një jetë më të mirë, por këtu gjetëm ajër të ndotur. Edhe toka nuk prodhon më asgjë, pasi është helmuar nga tymi pranë inceneratorit. Mbi të gjitha kemi frikë për jetën tonë, sepse ajri është i ndotur, por edhe ushqimet,” – pohon e shqetësuar gruaja.
Inspektoriati i Mjedisit, Drejtoria Rajonale dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit ende nuk kanë publikuar një raport mbi ndotjen e shkaktuar nga djegja për rreth një javë e malit me mbeturina në landfillin e Elbasanit.
Vetëm një javë pas zjarrit, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se matjet treguan nivel të lartë dioksidi karboni vetëm brenda landfillit dhe jo në zonat e banuara.
Por matjet e pavarura të organizatës COPLAN treguan nivele alarmante të gazrave të dëmshëm dhe grimcave të imëta, shumëfish mbi normat e BE-së.
“U konstatua nivele alarmante të NO₂, CO₂, metanit, komponimeve organike të paqëndrueshme (VOCs) dhe grimcave PM2.5/PM10, me pasoja të rënda për shëndetin, veçanërisht për personat me sëmundje kronike respiratore,” sugjerojnë gjetjet e kësaj organizate.

Sipas ekspertëve, zjarret pranë vendgrumbullimeve të mbetjeve urbane janë të rrezikshme, sepse ndotin njëherësh ajrin, mjedisin dhe ujërat nëntokësorë. Ahmet Mehmeti thekson se niveli i ndotjes në këto zona është shumëfish mbi nivelet e lejuara.
“Ka metale të rënda, si kromi, nikeli, bakri, plumbi, kadmiumi, që përfundojnë te njeriu dhe kafshët. Të gjitha këto kalojnë te trupi i njeriut dhe pasojat janë të rënda. Sëmundjet që vijnë nga ndotja janë kryesisht kanceroze, por edhe gjenetike,” thekson ambientalisti, sipas të cilit gjysëm milioni banorë preket nga ndotja e mjedisit.
Toka dhe uji i ndotur rrezikojnë zinxhirin ushqimor. Produktet bujqësore refuzohen nga tregjet ndërkombëtare, turizmi kulturor dëmtohet, dhe Elbasani sot është “hotspot” për ndotje.
Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme, ankesat e banorëve për ndotjen e ajrit dhe rreziqet nga landfilli dhe inceneratori kanë rënë në vesh të shurdhët për vite me radhë.
“I kemi bërë disa herë thirrje Kryeministrit dhe Bashkisë, por deri tani asgjë nuk është bërë,” thotë Rruzhdie Fraholli, banore e Katundit të Ri.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, “shteg.org” nuk mori asnjë përgjigje nga institucionet lokale dhe vendore. Vetëm pas zjarrit masiv të 1 korrikut 2025, Prokuroria e Elbasanit regjistroi procedimin penal për “Shpërdorim detyre” dhe “Ndotje të mjedisit”. Hetimet nuk nisën për shkak të ankesave të qytetarëve, por vetëm pas incidentit që rrezikoi mijëra jetë.
Zjarr, plehra dhe para

Duket se episodet e zjarreve në landfill janë bërë rutinë. Prokuroria e Elbasanit ka hapur disa hetime pas ngjarjeve të vitit 2023, 2024 dhe 2025. Fillimisht, hetimi u regjistrua për veprat penale “shkatërrim prone me zjarr” dhe “ndotje të ajrit”, neni 201 dhe 248. Më pas u zgjerua për të përfshirë akuza për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”.
Kur grupi hetimor vizitoi kompaninë publike “Eco-Elb” më 6 mars 2025 për të verifikuar një zjarr të ndodhur në nëntor 2024, mungesa e energjisë elektrike pengoi kontrollin e inceneratorit, duke e bërë të pamundur provimin e funksionimit të tij.
Hetimi i 1 korrikut 2025 u regjistrua si procedim pa autor dhe u bashkua me procedimin e nëntorit 2024. Policia e Elbasanit konfirmoi se nga “verifikimi i kryer lidhur me zjarrin e 01.07.2025 rezulton të jetë regjistruar procedimi penal për veprat penale të parashikuara nga nenet 201 dhe 248 të Kodit Penal”- dhe ky procedim ndodhet në fazë hetimi.
Tre javë pas zjarrit, më 21 korrik, policia dhe prokuroria kontrolluan 14 banesa të personave të lidhur me inceneratorin dhe eprimet u ndërmorën në kuadër të procedimit penal nr. 1417, i vitit 2024, i cili fillimisht u regjistrua për zjarrvënie.
Megjithatë, pavarësisht volumit të dosjes dhe kontrolleve, nuk kishte asnjë emër konkret të vendosur para përgjegjësisë.
“Për shkak të momentit procedurial në të cilin ndodhet hetimi, nuk mund të japim informacion të mëtejshëm,” deklaroi për “shteg.org” Prokuroria e Elbasanit, ndërsa Policia konfirmoi se çështja është referuar për hetim pa dhënë detaje për konkluzionet paraprake.
Mes banesave të kontrolluara rezulton të jetë edhe ajo e administratorit të kompanisë publike të landfillit Elbasan, “Eco-Elb”, Leli Kaja, si dhe drejtorëve juridikë dhe të financave nga të 8-të bashkitë, të cilët dyshohet se kanë pasur rol aktiv në marrëdhëniet institucionale dhe financiare me kompaninë që menaxhon mbetjet urbane.
Më 26 maj 2025, vetëm pak javë para zjarrit, Këshilli Bashkiak i Elbasanit rriti tarifën për depozitimin e mbetjeve nga 2,500 lekë në 2,600 lekë/ton. Kryebashkiaku Gledian Llatja argumentoi se rritja lidhej me kostot e landfillimit, por jo me inceneratorin, i cili “është në remont dhe nuk funksionon.”
Prej vitit 2021, zona e trajtimit të mbetjeve në Elbasan menaxhohet nga kompania publike Eco-Elb, e cila e mori atë në administrim përmes një kontrate qiraje nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Por kompania publike nuk mundi të vendosë në punë inceneratorin, ndërsa mali i plehrave në venddepozitimin pranë tij sa vjen e rritet.

Në mars të vitit 2015, pranë ish-kombinatit metalurgjik në Elbasan filluan punimet për inceneratorin e parë të Shqipërisë, një impiant që synonte të përpunonte mbetjet urbane dhe të prodhonte energji elektrike nga procesi i djegies së tyre.
Qeveria e prezantoi projektin si një zgjidhje për mbledhjen dhe grumbullimin e mbetjeve, të cilat për dekada kishin mbushur qytetin dhe përbënin rrezik për mjedisin, duke i kthyer ato në një burim energjie të gjelbër me kapacitet të planifikuar prej 17,250 MWh në vit. Projekti kushtoi 26 milionë euro dhe konsiderohej themeli i një transformimi të madh mjedisor në Shqipëri.
Më 18 prill 2017, inceneratori u inaugurua me pompozitet, në prani të kryeministrit dhe zyrtarëve të lartë, duke u prezantuar si një hap drejt standardeve europiane.
Inceneratori i Elbasanit është i vetmi impiant i përfunduar nga tre kontratat e kushtueshme të partneritetit publik-privat të qeverisë shqiptare, të hetuara për korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Zyrtarë të lartë, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit, janë gjetur fajtorë për abuzime me këto kontrata.
Qeveria premtonte se mbetjet që më parë digjeshin hapur dhe helmonin qytetin do të shfrytëzoheshin për prodhim energjie, duke ulur ndotjen dhe duke sjellë përfitime ekonomike dhe mjedisore.
Kryeministri Rama e cilësoi një “tumor 20-vjeçar” problematikën e mbetjeve urbane për qytetin, por që me këtë projekt vendoset një model i ri në trajtimin e tyre në mbarë vendin.
“Unë jam shumë krenar që ky tumor i madh i një kanceri, që prej 20 e ca vitesh stërmundon organizmin e gjithë zonës së Elbasanit dhe u kthye në një problem madhor, jetik, për të gjithë banorët e zonës për shkak të një ndotjeje katastrofike të gjeneruar nga fusha e tmerrshme e plehrave, është sot në fazën e një operacioni rrënjësor shërues, me një teknologji që futet për herë të parë në Shqipëri,” do të deklaronte kryeministri Rama në mars të 2015.
Sot, 10 vite më vonë, në Elbasan është po e njëjta emergjencë mjedisore. Mjetet e rënda vijojnë të transportojnë tonelata mbetjesh drejt landfillit. Me sy të lirë dallohet se zjarri i datës 1 korrik e ka ulur përkohësisht volumin e pirgut të mbetjeve, por është e pashmangshme që ai “mal” të mos rritet sërish dhe askush nuk jep garanci se nuk do të ndodhë një tjetër zjarr.
/Entela Mema – Shteg.org














