Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, ka denoncuar se pse Edi Rama dhe mazhoranca nuk e duan ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 11 Majit.
Fokusin ajo e vendosi tek mbështja që Rama dhe deputetët socialistë kanë patur nga krimi i organizuar në zgjedhje, ku tha se në total kanë qenë 40 banda apo kartele droge, të cilat kanë vepruar në 10 qarqe dhe 21 bashki. Sipas vokshit, në total krimi ka mbështetur 28 kandidatë të PS-së, ku 25 prej tyre morën mandatin e deputetit dhe sot ndodhen në Kuvend.
Vokshi shtoi më tej se si “shpërblim”, Edi Rama u dha bandave kriminale dhe karteleve të drogës leje ndërtimi, të firmosura vetë prej tij, apo nga Belinda Balluku dhe Adelajda Roka, drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, e cila dy vëllezërit i ka në burg si anëtarë të bandës së Suel Çelës.
Deputetja demokrate theksoi se Rama u ka dhënë leje ndërtimi personave që sot janë në kërkim me urdhër-arreste të lëshuara nga SPAK.
“E ka thënë qartë OSBE-ODIHR edhe në raportin paraprak dhe në atë final: zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis tejet të polarizuar ku liderët e opozitës u arrestuan, ku pati përdorim të burimeve shtetërore, pati presion ndaj votuesve dhe u zhduk kufiri midis shtetit dhe partisë. Nëse nuk kemi një ndarje mes partisë dhe shtetit, kemi një farsë elektorale.
Kemi prova konkrete se si nënpunësit civil u kthyen në operativ elektoral të PS-së, u ngrit një sistem monstruoz patronazhimi që profilizuan votuesit dhe nëpërmjet këtyre profilizimi dinin çdo problem apo dëshirë të tyre dhe u jepnin shërbime shtetërore në këmbim të votës. Kjo ndodhi edhe në diasporë, njësoj u patronazhuan. Ne kemi një pjesë të këtij sistemi të patronazhimit të kryekrimineles elektorale Belinda Balluku, e cila sot duhet të ishte vënë nën hetim nga SPAK. Kishte ngritur një sistem monstruoz patronazhimi se ku punonin, ku jetoni, ku e kishin shtëpinë, ku e blenin mishin, ku e blenin ilaçin. çdo gjë e kontrolluar.
Kemi faktet për tenderat elektoralë, për punësimet elektorale, për legalizimet elektorale, për asfaltin elektoral, me fakte dhe prova.
Ndërhyrja e organizatave kriminale. Dhe këtu kemi një analizë të tërë të 40 bandave kriminale dhe të karteleve të drogës që kanë vepruar në 10 qarqe nga 12, në mbi 21 bashki. I kemi me emra, i kemi me foto. Kanë mbështetur minimalisht 28 deputetë, ku 25 prej tyre janë këtu në këtë sallë, të cilët nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, por përfaqësojnë vullnetin e bandave kriminale, të trafikantëve të drogës dhe anëtarëve të karteleve të drogës. Dhe çfarë ndohi me këto? Gjatë zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, vetë Edi Rama ka firmosur qindra leje ndërtimi për ndërtesa luksoze në Tiranë, Durrës apo në bregdet. Të gjitha këto i kemi me prova. Kemi firmën në çdo leje të dhënë anëtarëve të bandave kriminale, anëtarëve të karteleve të drogës, ata që sot janë në kërkim dhe kanë urdhër-arresti.
E ka firmosur Edi Rama, Belinda Balluku dhe Adelajda Roka, që jo rastësisht u vu drejtoreshë e lejeve të ndërtimit, pavarësisht se dy vëllezërit i kishte në burg, anëtarë të kartelit Çela.” – tha Vokshi.
 
	    	















