Nga Boldnews.al
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, u duk se arriti zenitin e tij profesional gjatë raportimit në Parlament, të hënën e kësaj jave (27 tetor 2025).
Për më shumë se dy orë, ai iu përgjigj mbi 65 pyetjeve të deputetëve të opozitës, herë me ftohtësi, e herë me arrogancë e përçmim. Nga ana tjetër, gjendeshin shumica parlamentare socialiste, e cila u shndërrua në një turmë memece dhe që nuk kishte asnjë pyetje, asnjë sugjerim dhe asnjë kritikë për kreun e Prokurorisë së Posaçme.
Të acarosh politikën, konsiderohet si një vlerë e shtuar në sistemin e drejtësisë. Dhe këtë, Dumani, e di shumë mirë.
Bilanci i tij tre-vjeçar në krye të Prokurorisë së Posaçme ka shënuar zhvillime domethënëse. Ai dhe stafi i tij, falë komunikimeve në platformën SKY/ECC, ka aplikuar masa sigurimi dhe ka dërguar për gjykim personazhe të njohur të botës së krimit.
Është e paqartë nëse prokurorët e posaçëm do të avanconin hetime të tilla, në rast se nuk do t’u servireshin në pjatë të argjendë bisedat e grupeve kriminale. Megjithatë, SPAK-u, nën drejtimin e Dumanit, mund të vlerësohet që i çoi përpara këto hetime, pavarësisht dyshimeve për dekonspirime apo favorizime të grupeve dhe individëve të caktuar.
Por, ajo që e ka shndërruar Altin Dumanin në një personazh antipatik për politikën, janë, natyrisht, hetimet ndaj eksponentëve të lartë qeveritarë e ish-qeveritarë.
Opozita i gjen vetes shumë arsye për t’u acaruar me Dumanin. Gjatë mandatit të tij 3-vjeçar, lideri kryesor opozitar, Sali Berisha, u mbaj në arrest shtëpie për një vit dhe tashmë është në gjykim për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”.
Drejtuesi i dytë opozitar, Ilir Meta, është prej një viti në arrest me burg, nën dyshimet për “korrupsion” e “pastrim parash”, pas një arrestimi sa spektakolar, aq edhe abuziv në tetorin e vitit 2024.
Të tjerë eksponentë të rëndësishëm opozitarë kanë kryer paradën para zyrave të SPAK-ut.
Këto zhvillime kanë dobësuar ndjeshëm peshën politikë të opozitës. Deputetët e saj kanë të gjithë të drejtën të besojnë se hetimet e Dumanit nuk janë veprimet e prokurorit, por keqpërdorimi i tij nga kryeministri Edi Rama, i cili, falë goditjes së kundërshtarëve të tij politikë, po konsumon mandatin e katërt radhazi në krye të qeverisë.
Heshtja e anës tjetër të sallës parlamentare ishte më ulëritëse se sa pyetjet zhurmuese të opozitës. Maxhoranca i është bindur urdhërit politik të kryetarit Rama për të mos komentuar aktivitetin e organeve të drejtësisë, por sidomos të Prokurorisë së Posaçme.
Megjithatë, shumë deputetë socialistë e kanë të qartë se ky urdhër politik nuk lidhet me qasjen e maxhorancës ndaj Reformës në Drejtësi dhe produkteve të saj.
Deputetët socialist e kanë parë se si miqtë e tyre politikë e personalë kanë përfunduar pas hekurave; Saimir Tahiri, Ilir Beqja, Arben Ahmetaj në kërkim, Vangjush Dako e deri tek Erion Veliaj dhe “kandidatja” Belinda Balluku.
Deputetët socialistë nuk kanë pasur mundësinë që të shprehin as, minimumi, solidaritetin njerëzor me të arrestuarit e “erës Dumani”.
Asnjë prej tyre nuk guxon të ngrejë zërin e të kërkojë llogari tek Edi Rama se përse ai i “shiti”, “i linçoi”, e i “zhveshi” politikisht, para se ata t’i dorëzoheshin arrestit të Altin Dumanit.
Asnjëri nuk guxon të dalë kundër Liderit sepse e kanë të qartë se mund të kenë të njëjtin fat. Pasi, shumë prej tyre, janë të bindur se Dumani është nën kontrollin e Ramës dhe ky mund ta përdorë prokurorin, si kundër opozitarëve politikë, ashtu edhe kundër “opozitarëve” partiakë.
Altin Dumani mund të jetë ndjerë i përkëdhelur në sedrën profesionale, kur arriti, si prokuror, të ketë përballë një grup të acaruar deputetësh opozitarë, e një tjetër shurdh-memece nga maxhoranca.
Por, sjella e deputetëve të të dy kaheve tregoi qartësisht diçka tërësisht tjetër-përballë tyre nuk shihnin prokurorin, por “ushtarin e Edi Ramës”, Altin Dumani.














