Këtë të martë (21 tetor) bëhet një vit nga arrestimi i Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, i është drejtuar sërish Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një kërkesë për shuarjen e masës së sigurisë ndaj tij. Kërkesa është dorëzuar një vit pas vendimit të GJKKO-së, e cila më 21 tetor 2024 miratoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Metës.
Në dokumentin e depozituar, mbrojtja synon rrëzimin e vendimeve nr. 125 dhe nr. 130 të tetorit 2024 të GJKKO-së, si dhe vendimit nr. 59 të nëntorit 2024 të Gjykatës së Apelit të Posaçëm.
Gjykata e Posaçme pritet të shqyrtojë kërkesën në ditët në vijim dhe të vendosë mbi vlefshmërinë e masës së sigurisë.
Më 29 gusht, SPAK përfundoi hetimet ndaj Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, duke e dërguar çështjen në gjykatë për shqyrtim në seancë paraprake. Bashkë me ta, janë dërguar për gjykim edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, ish-kreu i AKEP Pirro Xhixho dhe ish-financierja e LSI-së, Ema Çoku. Procedimi penal ndaj tyre ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasuese ndërsa gjatë vitit 2024, të gjitha procedimet e veçuara janë bashkuar në një të vetëm.