Në seancën gjyqësore kundër Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes, të akuzuar për atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja, Aleksandër Lahos dhe Andi Malokut, dëshmoi Beqir Boja, anëtar i komisionit të pajtimit të gjaqeve dhe kryetar i Këshillit të Komunës Zallherr në vitin 2019.
Boja deklaroi se ishte përfshirë në negociata me familjen Rraja, të cilët sipas tij, kanë mohuar çdo lidhje me vrasjen e Andi Malokut dhe kanë dhënë betim në Kuran për këtë. Ai tha se Asllan Rraja i kërkoi të negociojë me familjen e Genc Malokut për djalin e tij, Redian Rraja.
Sipas dëshmisë së tij, pas takimeve me Genc Malokun, ky i fundit i dha afat tre muaj sipas “rregullit shqiptar” për të parë zhvillimet dhe për të vendosur lidhur me hakmarrjen. Maloku theksoi se djali i tij ishte vrarë “i pafajshëm në rrugë” dhe kërkoi të priste për drejtësinë që do të dilte nga hetimet.
“Në 2019 kam jetuar në Kamëz, kam qenë kryetari i këshillit të komunës Zallherr. Unë jam angazhuar me komisionin e pajtimit të gjaqeve. Asllan Rraja, me ka kërkuar që të negocioj më familjen e Genc Malokut. Ai më kërkoi qe të negocioj për të birin Redian Rraja. I kam kërkuar familjes Rraja nëse kanë lidhje me këtë ngjarje ata kanë bërë be në kuran që ne nuk kemi asnjë lloje dijeni për vrasjen e Andi Malokut. Kemi pritur Gencin Malokun se ai nuk gjendjes në shtëpi i thashë që na ka dërguar familja e Asllan Rrajës, Genc Maloku na tha sipas rregullit shqiptar keni afat tre muaj që të shohim si do shkoj e gjithë gjeja. Më pas ka pasur edhe një takim të dytë, Genci theksone se djali i është vrarë i pafajshëm në rrugë. Ne i kërkuam që të presi sa të shohim cdo të thotë drejtësia, pasi Asllani nuk ka mundur të lidhet me djalin që të marrë informacion. Do vazhdoj të kërkoj të drejtën tjetër. Ne i kërkuam sërish afat 3 muaj nuk e pranoi këtë kohë dhe caktuam më pas. Ky ka qenë takimi i fundit, më pas nuk jeni taku më. Nuk i njoh të pandehurit në sallë. Genci Maloku na dha garanci që për tre muaj nuk do merrte hak”, ka deshmuar ai.