Qeveria ka miratuar disa ndryshime në ligjin për mbrojtjen e drejtuesve të Gjykatës së Posaçme, Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Sipas ndryshimeve të miratuara në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, drejtuesit e GJKKO, SPAK-ut dhe BKH-së do të shoqërohen me truprojë të nivelit bazë dhe të mesëm gjatë mandatit por edhe në përfundim.
Për drejtuesit e Gjykatës së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, mbrojtja do të vijojë edhe për 2 vite pas përfundimit të mandatit, ndërsa për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), kjo mbrojtje do të vijojë për 3 vite pas detyrës.
Pra, ndryshimi i miratuar sot nga qeveria është pikërisht zgjatja e afatit të mbrojtjes për drejtuesin e SPAK pas përfundimit të mandatit, nga 2 në 3 vite.
Vendimi i plotë:
VENDIM PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.478, DATË 10.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURËN E SIGURISË SË GJYQTARËVE TË GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORËVE TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE DREJTORIT TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 47, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Pika 3 e vendimit nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij.
Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij.”.
2. Ngarkohen drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.