Pse brenda pak ditëve New York Times e lidhi vizitën e kryebashkiakut të New Yorkut në Shqipëri me skandalin e McGonigal dhe pse një ish këshilltar i Trumpit u hakmor duke botuar foto, pas shakasë së Ramës.
Nga Andi Bushati
Dy ngjarje të ditëve të fundit, në pamje të parë krejt pa lidhje me njëra tjetrën, i kanë ringjallur Edi Ramës një fantazamë, që e ndjek si hije nga pas: miqësinë e tij me ish zyrtarin e korruptuar të FBI-së, Charles McGonigal.
Cilido që reket të verë normalisht logjikën në punë do ta kishte të vështirë të kuptonte se si mund të evokohet skandali i ish agjentit të manipuluar me para shqiptarësh gjatë vizitës së kryebashkiakut të New York-ut në vendin tonë. Edhe më e çuditshme do të ishte “hakmarrja” e një ish këshilltari të fushatës së parë të Donald Trumpit, ndaj talljes që Edi Rama i bëri “vokacionit paqedashës” të presidentit amerikan, duke botuar një foto të kryeministrit tonë me McGonigalin.
Por, të dyja këto lajme të prodhuara brenda një harku të shkurtër kohor, pavarësisht nga njëra tjetra, sado paradoksale që të duken, kërkojnë një shpjegim.
E para lidhet me një artikull të plotë të gazetës New York Times. Duke komentuar vizitën surpirizë të Eric Adams në Shqipëri, me ftesë të Edi Ramës, e përditshmja amerikane e referencës, e pikturonte kryeministrin tonë si njeriun që përmendej plot 12 herë në dosjen penale të ish zyrtarit të FBI-së. Edhe më tej akoma, ajo e etiketonte atë si “figurë kyçe të aktakuzës”. Në këtë artikull, tema e të cilit ishte krejt e ndryshme nga afera Rama-McGonigal, ajo pushtonte katër paragrafë dhe rrimerej disa herë. Athere përse? Pse përshembull, NYT nuk thoshte se kryebashkiaku Adams po viziton vendin e një kryeministri ku do shpallet shteti bektashi, ishte ftuan nga ai i cili ka mbledhur dy herë në Tiranë liderët e gjithë Evropës, pikërisht te ai që i theu hundët ambasadorit rus, kur drejtonte Këshillin e Sigurimit, apo tek ai që i parapriu një bumi impresionues turistik?
Jo asnjë nga këto! Gazeta njujorkeze e trajtonte Ramën thjeshtë personazh të dosjes McGonigal.
Natyrisht asgjë nuk është e rastësishme. Kryebashkiaku Adams, i cili është në fund të mandatit të vet, mban mbi shpinë një barrë akuzash për korupsion rryshfete dhe shërbime në këmbim të udhtimeve të luksit dhe biletash të shtrenjta udhëtimi.
Ndaj dhe nënteksti i artikullit të NYT ishte i qartë: një i dyshuar si i korruptuar po ftohet në Shqipëri nga një i dyshuar si korruptues. Gazeta, të cilës në këtë rast i interesonte Eric Adams dhe jo shefi i qeverisë sonë, rekej të jepte mesazhin se ai po përfitonte nga njeriu që kishte paguar McGonigalin për të goditur opozitën e vendit të tij. Pra ajo nuk e diskutonte rolin e Edi Ramës në skandalin që tronditi FBI-në, thjeshtë e përdorte atë për të errësuar vizitën e dyshimtë të kryebashkiakut të New Yorkut.
Po e njëjta logjikë u përdor edhe nga një njeri i galaksisë MAGA, George Papadopulos, pasi u bë virale ajo videoja e famshme, ku në prani të presidentit Macron, Edi Rama tallet me ngatërresën e Trumpit që pretendoi se kishte pushuar luftën mes Shqipërisë dhe Azerbaxhianit.
Ky ish këshilltar gjatë fushatës së parë të Trumpit u përgjigj menjëherë duke postuar një foto të McGonigalit në zyrën me flutura në kryeministri. Ai e sqaroi në mënyrë më të shteruar se përse e ndërmori këtë veprim, duke folur në një intervistë për gazetaren Armela Ferko, se ky kryeministër që nuk i njihte Trumpit rolin si paqebërës ishte thjeshtë një mik i McGonigalit.
Ndonëse ky episod u popmua shumë nga opozita vendase dhe mediat e saj, si nje sinjal se tani do fillonte hakmarrja e amerikanëve ndaj Ramës, rëndësia e tij nuk qëndron këtu. Jo vetëm për faktin se tashmë Papadopulos nuk bën pjesë në rrethin e afërt të Trumpit, as për atë se postimi i tij është tepër periferik për tu trajtuar si një sinjal politik, por për një arsye tjetër. Përgjigja e ish këllishtarit ka vlerë për të na treguar se tashmë përtej oqeanit, ata që kanë sadopak interes për Shqipërinë, e kanë mësuar thembrën e Akilit të kryeministrit të saj. Njësoj si gazetarët e New York Times edhe personazhet e MAGA-s e kanë të qartë se po të duash të godasësh Edi Ramën, mjafton të shfletosh fletët e dosjes Mc Gonigal.
Pikërisht në këtë pikë, duhet kërkuar ajo që vlen për publikun shqiptar. Fakti që sa herë atyre në SHBA, kur u duhet të shigjetojnë Edi Ramën, i përsërisin të njëtin refren, tregon se fiks aty e kanë të kapur.
Prandaj broçkullat që prodhoi propaganda rilindase se shefi nuk dinte gjë për kumbllat dhe dardhat që hanin Neza dhe Duçka pas shpinës së tij, se ai nuk ka pasur një plan për shkatërrimin e opozitës duke përdorur dosjen e rreme të financimeve ruse, se midis 225 mijë USD-ve të paguara në një parking dhe selisë së qeverisë nuk ka asnjë lidhje, sot nuk kanë më asnjë vlerë. Fakti është se Edi Rama është shah mat në dosjen McGonigal. Më tej të gjithë spekullojnë, shprehin dëshira apo thjeshtë gënjejë, kur vënë bast për mënyrën se si amerikanët do ta përdorin këtë fakt.
/Lapsi.al