Policia ka goditur një grup kriminal që rekrutonte vajza nga vendet e Amerikës Latine e Azia Qendrore dhe i detyronin të ushtronin prostitucion në Shqipëri.
Operacioni u realizua në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë Kroate, EUROPOL dhe EUROJUST, ku u lëshuan 19 masa sigurie, 9 në Shqipëri dhe 10 në Kolumbi.
Në Kolumbi është arrestuar dhe organizatori i rrjetit, Lucas Betankur, 25 vjeç.
Në Shqipëri u vunë në pranga: Assel Adrysheva, Rostyslav Mieshkov, Denis Berisha, Mirel Shperdheja, Dritan Sukaj, Ilmar Gugashi dhe Kejvin Ndreu.
Ndërkohë, u shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, pjesëtarë të grupit kriminal.
Po ashtu janë proceduar penalisht për ushtrim prostitucioni 48 shtetase të huaja, pjesa më e madhe e të cilave ishin akomoduar në një hotel në rrugën “Reshit Collaku”.
Si funksiononte grupi kriminal
Kolumbiani Lucas Betankur kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas detyroheshin të ushtronin prostitucion. Në rast se ndonjë nga shtetaset refuzonte të vazhdonte këtë veprimtari, mbajtja e vajzave bëhej me anë të forcës dhe kanosjes ndaj tyre e familjarëve në Kolumbi, duke përfshirë edhe persona të afërt.
Ndërkohë, Denis Berisha, bashkëpunonte me organizatorin kolumbian duke siguruar kushtet logjistike për akomodimin dhe menaxhimin e rrjetit.
Një nga të arrestuarit, shtetasi me iniciale K. P., mblidhte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e 25-vjeçarit kolumbian.
Një nga të arrestuarit, 35 vjeçari Ilmar Gugashi, kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Collaku”, në Tiranë, duke e shndërruar në vend për ushtrim prostitucioni nga vajzat e trafikuara. Në këtë hotel shfrytëzoheshin për prostitucion disa shtetase me origjinë nga Kazakistani dhe i strehonin në këtë hotel.
Ndërkohë, Denis Berisha sigurohej për shpërndarjen e lëndëve narkotike për disa nga vajzat dhe lehtësonte kontaktet me klientët.
PAMJE nga operacioni:
Njoftimi i Policisë:
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në kuadër të një hetimi proaktiv të nisur në muajin shkurt 2025, në drejtimin e Prokurorisë, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Rrjeti”, me objektiv goditjen e një grupi kriminal që trafikonte femra nga vendet e Amerikës Latine dhe të Azisë Qendrore, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion, në Shqipëri, nëpërmjet platformave online.
Në kuadër të operacionit:
-u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: A. A., 43 vjeçe, R. M., 53 vjeç, D. B., 39 vjeç, M. Sh., 28 vjeç, D. S., 37 vjeç, I. G., 35 vjeç dhe K. N., 25 vjeç;
-u ekzekutua masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”, për shtetasit Z. B., 25 vjeç dhe K. C., 29 vjeç;
-u shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, pjesëtarë të grupit kriminal.
Gjithashtu, u arrestua në Kolumbi, organizatori i veprimtarisë kriminale, shtetasi L. B., 25 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se:
-shtetasi L. B., kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe në organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas ato detyroheshin të ushtronin prostitucion. Në rast refuzimi, L. B. ushtronte presion dhe kërcënime ndaj vajzave dhe familjarëve të tyre në Kolumbi. Ky shtetas bashkëpunonte me shtetasin D. S., për sigurimin e kushteve për akomodimin e vajzave dhe menaxhimin e rrjetit të prostitucionit;
-shtetasi I. G. kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Collaku”, në Tiranë, si vend për akomodomin e vajzave dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion;
-shtetasit A. A. dhe K. N. shfrytëzonin për prostitucion, disa shtetase nga Kazakistani, të cilat i strehonin në këtë hotel;
-shtetasi D. B. iu jepte lëndë narkotike disa vajzave dhe siguronte klientë për prostitucion;
-shtetasi K. P. (i arrestuar më parë), mblidhte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e shtetasi L. B.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.