• Kontakt
Wednesday, September 24, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Fatura e mungesës së ujit: Dëme, protesta dhe zhgënjim turistik

20:28 : 23/09/2025
në AKTUALITET, KRONIKE, SOCIALE

Vetëm 10 kilometra larg Durrësit turistik, në fshatin Xhafzotaj të Shijakut, banorët këtë verë kanë pasur vetëm një kryefjalë në bisedat e tyre, mungesën e ujit të pijshëm për ditë të tëra.

“Në ditët më të nxehta të gushtit kemi ndenjur një javë pa ujë të pijshëm”, tregoi Lavdija, rreth të 50-ve.

Banorja e Xhafzotajt rrëfeu për situatën ulur në një dyqan të vogël, i vendosur në hyrje të fshatit dhe që shërben si aktivitet familjar – “Disa herë gjatë kësaj vere kemi qenë pa ujë”, shtoi gruaja.

Jo larg nga aty, Ujëmbledhësi i Manskurisë që është pjesë e Njësisë Administrative Rrashbull, megjithëse një liqen artificial që ndikohet direkt nga kushtet atmosferike, “mori pushimet” dhe ndaloi së furnizuari me ujë banorët e zonës turistike të Durrësit këtë verë.

Situata ka krijuar kufizime të ndjeshme Ujësjellësin e Durrësit ne zonat turistike, duke nisur nga Shkëmbi i Kavajës deri në Qerret. Kjo zonë furnizohet me ujë nga Stacioni i Çermës dhe Ujëmbledhësi i Manskurisë, i cili nuk solli fare ujë, pasi po kryhet investimi për rehabilitimin e digës së rezervuarit.

Lexo edhe:

Aksident i rëndë në Durrës, humb jetën 26-vjeçari

Debia deri në 25 milionë lekë, UKT nuk ndryshon kontratën nga detyrimi i qiramarrësit

“Nga ky rezervuar vinte një sasi uji prej 100 litër në sekondë, sasi që mjaftonte për të furnizuar një zonë me popullësi afro 30 mijë banorë. Këtë vit kjo sasi uji mungon dhe herë pas here kemi pasur probleme në zonën turistike, por gjithmonë në rastet kur përkohësisht është ndërprerë puna në stacionin e pompave në Çermë, ose kur ka pasur defekte”, shpjegoi Ujësjellësi i Durrësit.

Mungesa e ujit të pijshëm ka shoqëruar këtë verë si zonat urbane, ashtu edhe ato rurale, duke u kthyer në shqetësim serioz për banorët dhe sektorin e turizmit. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës theksoi faktin se mungesa e ujit të pijshëm ka qenë një shqetësim real dhe i përsëritur këtë verë.

“Nuk bëhet më fjalë për raste të izoluara, por për një problem që prek sistematikisht zona të tëra, veçanërisht bregdetin dhe lagjet që përballen me një fluks të lartë turistësh”, shpjegoi Artan Luku, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës. Sipas tij në kulmin e sezonit turistët kanë përjetuar mungesën e furnizmit me ujë të pijshëm.

“Në kulmin e sezonit, shumë banorë dhe turistë janë përballur me ndërprerje të gjata të furnizimit me ujë, çka është absurde në një qytet që pretendon të jetë destinacion turistik”, shtoi ai për Median Amfora.

Tubacioni kalon, por uji mungon

Në një tjetër zonë turistike, banorët Shën Pjetrit në Njësinë Administrative Ishëm, këtë vit protestuan për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, duke ngritur zërin për një problem me të cilin përballen prej vitesh.

“Tubacioni i Fushë-Kuqes që çon ujin drejt Durrësit kalon përpara shtëpive tona, por ne nuk kemi ujë të pijshëm prej vitesh”, thanë banorët e fshatit në protestën e organizuar që më 29 prill të këtij viti.

Problemi i furnizimit me ujë të pijshëm në Qarkun e Durrësit, që konsiderohet me potencial të lartë për turizmin në vend, ka prekur shumë zona, veçanërisht ato bregdetare. Sipas Lukut, pronarët e bizneseve turistike kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin për mungesën e ujit.

“Shumë nga ankesat kanë ardhur nga zona si Plazhi i Madh, Golemi, por edhe lagjet përreth që frekuentohen nga mijëra turistë çdo ditë”, shpjegoi ai.

Depozitat e ujit në një pjesë të pallateve në Durrës janë zhvendosur në tokë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Foto Media Amfora

Vlora, një tjetër qytet bredgetar, megjithëse ndërmarrja e saj e ujësjellësit raportoi furnizim normal gjatë sezonit, banorët vijuan përballjen me një sërë problemesh të thella. Disa zona bregdetare për shkak të vendodhjes afër burimit të Ujit të Ftohtë duken më të favorizuara, ndërsa pjesa tjetër e qytetit është furnizuar me ujë vetëm dy herë gjatë 24 orëve.

“Zona bregdetare ku përfshihen Lungomare, Uji i Ftohtë, një pjesë e lagjes ’10 Korriku’ dhe ‘Jonufra’ furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë. Pjesa tjetër e qytetit furnizohet me dy fasha orari, në mëngjes dhe në pasdite”, shpjegoi në një përgjigje zyrtare Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë.

Media Amfora pyeti audiencën e saj mbi eksperiencën e mungëses së ujit këtë verë, përmes një pyetësori në faqen e saj. Të dhënat e mbledhura nga pyetësori përgjatë muajit gusht, treguan qartë se kriza e ujit është përjetuar dhe ka prekur më së shumti zonat bregdetare. Nga përgjigjet e 31 qytetarëve që u përgjigjën, 77.8% raportuan mungesë furnizimi në zonat bregdetare, ndërsa pjesa tjetër në zona malore.

Më shumë raportime u shënuan në Durrës, Tiranë, ndërsa të tjerë qytetarë u shprehën nga Berati, Vlora, Elbasani, si edhe nga Lezha, Shkodra dhe Korça. Për disa qytetarë nga përgjigjet e tyre mungesa e ujit është përjetuar si “tmerr”, e për të tjerë si një “cenim i cilësisë së jetës”.

Dëshmitë e mbledhura nga pyetësori i Amforës tregojnë për një tablo të përditshmërisë pa ujë të pijshëm në shumë qytete të vendit gjatë kësaj vere. Një nënë e re shënoi, “Me fëmijë të porsalindur, s’kemi si të dezinfektojmë”. Banorë të zonës së Plazhit në Durrës raportuan se, “Uji është i një cilësie shumë të keqe”, ndërsa të tjerë treguan për dëme ekonomike, “Mu bllokua lavatriçja, mu desh të shpenzoja 200 mijë lekë për riparim”. Ndërsa një tjetër banor nga Kruja komentoi, “Çdo verë kemi të njëjtin problem, kur vijnë turistët uji mungon për ditë të tëra”. 

Nga ana tjetër, Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës (SHRUKD) e pranoi se ka pasur ndërprerje të furnizimit me ujë, por sipas saj ato kanë qenë të përkohshme.

“Ndërprerje të furnizimit me ujë ka pasur, por ato kanë qenë të përkohshme”, shpjegoi institucioni në një përgjigje zyrtare. Në vijim theksohet se ndërprerjet kanë ndodhur për shkak të defekteve. 

“Janë ndërprerje që kanë ndodhur për shkak të defekteve të ndryshme në tubacionin kryesor, në stacionin e pompave apo ndërprerje të energjisë elektrike kur OSHEE duhet të bëjë remonte të ndryshme”, sqaroi institucioni.

Kërkesa në rritje, menaxhim i dobët 

Çdo verë kërkesat për ujë të pijshëm në Shqipëri rriten ndjeshëm për shkak të temperaturave të larta, shtimit të popullsisë urbane, ndërtimeve të reja dhe fluksit të turizmit bregdetar, luhatje që rrjetet e amortizuara dhe mungesa e vendburimeve të reja nuk i përballojnë dot.

Në stinën e verës, Ujësjellësi i Vlorës përballet me sfida më të mëdha menaxhuese, ndërsa rrjeti është i amortizuar.

“Linjat ekzistuese janë të amortizuara dhe për pasojë krijohen rrjedhje në rrjetin shpërndarës që sjellin edhe humbje të ujit”, shpjegoi institucioni për Median Amfora – dhe sfidë mbeten edhe lidhjet e jashtëligjshme në rrjet, shpërdorimi i ujit, si edhe nivelet e larta të debitorëve.

Edhe në qytetin e Durrësit nuk mungojnë humbjet në rrjet megjithëse për ujësjellësin është investuar vitet e fundit me disa investime të rëndësishme.

“Ka humbje në rrjet, kryesisht në linjën kryesore të furnizmit që vjen nga stacioni i pompave në Fushë-Kuqe. Bëhet fjalë për tubacionin me diametër 700 mm, i cili është mjaft i amortizuar dhe parashikohet që vitin e ardhshëm të zëvendësohet”, analizoi institucioni.

Megjithatë mungesa e ujit në vendin tonë nuk ishte një episod i izoluar – Të dhënat e pyetësorit të Amforës tregojnë se 33.3% e qytetarëve raportuan se u përballën të paktën një herë këtë verë me ndërprerje të furnizimit, 40.7% thanë se kjo ndodhi 2-5 herë, ndërsa një në katër të anketuar (25.9%) pohuan se mungesa e ujit ishte e përsëritur, mbi pesë herë gjatë verës.

Pavarësisht se ndërprerjet janë të shpeshta, 92.6% e konsumatorëve pohuan në pyetësor se nuk kishin marrë asnjë njoftim paraprak nga ujësjellësi dhe vetëm 7.4% ishin informuar paraprakisht.

Megjithë vështirësitë që lidhen me rrjetin e amortizuar, në Vlorë investimet për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit nuk kanë munguar, falë mbështetjes së donatorëve ndërkombëtarë dhe pjesërisht të qeverisë.

“Investimi madhor që po realizohet në rrjetin e ujësjellësit, me mbështetjen e Bankës Gjermane ‘KFW’ dhe Qeverisë Shqiptare. Investimet në rrjetin e shpërndarjes me përfituese 5 lagje të qytetit, rikonstruksioni i Stacionit Nr. 4, ujësjellësi i ri Jonufër- Radhimë-Dukat”, janë disa nga investimet e renditura nga Ujësjellësi i Vlorës.

Në Durrës, investimet e ujësjellësit gjatë viteve 2021-2024 kanë synuar modernizimin e rrjetit të ujësjellësit dhe garantimin e furnizimit 24 orë, me projekte që variojnë nga rehabilitimi i tubacioneve kryesore tek instalimi i matësave inteligjentë dhe ndërtimi i depozitave të reja. Megjithatë, pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, mungesa e ujit ka mbetur një realitet i përditshëm për shumë zona të qytetit dhe bregdetit.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm nuk vjen me ndërhyrje të pjesshme, por kërkon një reformim tërësor të sistemit.

Për ta zgjidhur këtë problem njëherë e mirë, nuk mjaftojnë arna apo ndërhyrje të përkohshme, kërkohet një rindërtim i plotë i rrjetit të ujësjellësit, një menaxhim më profesional dhe më transparent i burimeve ujore dhe mbi të gjitha, prioritizimi real i kësaj çështjeje nga pushteti lokal dhe qëndror”, tha kreu i saj, Artan Luku.

“Është një zhgënjim i madh për vizitorët, që ndihen të keqtrajtuar dhe për banorët që çdo verë përballen me të njëjtin hall, është një tregues i qartë i paaftësisë për të menaxhuar nevojat më të thjeshta të qytetit”, tha ai.

Përballë mungesës së furnizimit me ujë, qytetarët janë detyruar të gjejnë zgjidhje alternative. Më shumë se gjysma e personave që plotësuan pyetësorin e Amforës, në 55.6% rrëfyen se blenë ujë të ambalazhuar për të përballuar situatën, ndërsa të tjerë u mbështetën tek puset, depozitat shtëpiake apo autobotët.

“U detyruam të blejmë ujë të ambalazhuar për çdo gjë”, “U furnizuam me autobot”, “Improvizuam duke përdorur depozita e bidona”, “Arritëm deri aty sa përdorëm letra për higjienë nga mungesa e ujit” – ishin disa nga komentet e lëna në pyetësor.

Si shkaqet kryesore të mungesës së ujit të pijshëm në zonën e tyre ata vlerësuan në 40.7% “Keqmenaxhimin” dhe në 33.3% “Mungesën e investimeve”./Amfora

Etiketa: Durresujeujesjellesixhafzotaj

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Aksident i rëndë në Durrës, humb jetën 26-vjeçari

08:13 : 23/09/2025
AKTUALITET

Debia deri në 25 milionë lekë, UKT nuk ndryshon kontratën nga detyrimi i qiramarrësit

21:24 : 22/09/2025
AKTUALITET

Kinezet kthejnë apartamentin në Durrës në “fole” p*ostitucioni, arrestohen 3 shtetase

09:45 : 22/09/2025
AKTUALITET

Vangjush Dako rikthehet në burgun e Durrësit, ja sa kohë do të qëndrojë në qeli ish-kryebashkiaku

18:00 : 21/09/2025
AKTUALITET

Emri/ Vëllai i “Rrumit të Shijakut” kërcënon drejtorin e spitalit të Durrësit

14:09 : 20/09/2025
AKTUALITET

“Zjarrfikësja na tha s’kemi shofer!”, banorët flasin për zjarrin që dogji 4 makina në Spitallë

19:13 : 19/09/2025
Para

“Del jashtë se s’të baj gja"/ Si ndodhi masakra e Shkodrës, zbardhen dëshmitë (DOSJA)

TË GJITHA

Horoskopi, e mërkurë, 24 Shtator 2025/ Lexoni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

22:58 : 23/09/2025

Burnley eliminohet nga Kupa e Ligës me Brojën titullar

22:54 : 23/09/2025

Babai i Elon Musk akuzohet për abuzim seksual ndaj fëmijëve të tij

22:50 : 23/09/2025

Gjiganti i teknologjisë Nvidia investon 100 miliardë dollarë në OpenAI

22:41 : 23/09/2025

Shkarkimi i Veliajt/ Abilekaj: Një grup “Diellash” të mishëruar që votojnë siç do Rama

22:37 : 23/09/2025

Trump thirrje vendeve europiane: Rrëzoni avionët rusë nëse shkelin hapësirat ajrore

22:26 : 23/09/2025

Trump premton paqe, por mes Egjiptit dhe Etiopisë nuk ka një luftë që ai ta ndalë

22:24 : 23/09/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com